Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë paradite në Kakavijë, ku një autoambulancë ka përplasur një fëmijë. Për fat të keq, fëmija nuk ka mundur dot të mbijetojë.
Ai ishte i moshës 10-vjeçare, nga Lezha dhe po priste me familjen radhën për të kaluar kufirin grek.
Policia thotë se ambulanca po transportonte një grua të sëmurë drejt spitalit të Gjirokastrës.
“Rreth orës 10:30, në aksin nacional Kakavije – Gjirokastër, në afërsi të kthesës së Bularatit, një autoambulancë me drejtues shtetasin A. G, që po transportonte një shtetase të sëmurë për në spitalin rajonal Gjirokastër, ka përplasur këmbësorin, shtetasin S. N., 10 vjeç, banues në Lezhë, i cili ka humbur jetën.
Drejtuesi i ambulancës është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, ndërsa shtetasja e sëmurë është transportuar me makinë policie drejt spitalit rajonal Gjirokastër.”– thotë policia.
Qytetarët që presin në afërsi të kthesës së Bularatit në Gjirokastër ku ndodhi aksidenti që i mori jetën një fëmije, kanë mbetur të tronditur.
“Erdhi makina e mori zvarrë fëmijën e hodhi në kanal. Skandal. Po priste me nënën në hije fëmija. E vrau para syve tanë, gjynah”– tregon për Fax News një grua e tronditur.
Situata në Kakavijë mbetet e tensionuar, me qytetarët që presin në radhë kilometrike prej katër ditësh për të kaluar kufirin. Kjo tragjedi vetëm sa e ka agravuar më tej situatën./ Hashtag.al