Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, është emëruar trajneri më i mirë i vitit në Premierligës për sezonin 2019/20, pasi arriti t’i japë fund ecurinë prej 30 vjetëve pa titullin e kampionit të Anglisë.
Liverpooli e fitoi titullin e parë të kampionit të Anglisë në 30 vjet, dhe të parin të Premierligës në histori, duke e mbyllur sezonin në Angli me 99 pikë, 18 më shumë sesa rivali më i afërt në tabelë, Manchester City.
Skuadra e Kloppit ishte e pamposhtur në 27 ndeshjet e para të sezonit, nga të cilat i fitoi 26, dhe e theu rekordin për sigurimin e titullit me më së paku xhiro të zhvilluara, kur kishte mbetur edhe shtatë deri në fund të sezonit.
Strategu gjerman, i cili muajin e kaluar e fitoi çmimin për trajnerin e vitit nga Shoqata e Trajnerëve të Ligës, tani është shpërblyer edhe me çmimin për trajnerin e vitit nga Premierliga, pasi i mposhti Frank Lampardin, Brendan Rodgers dhe Chris Wilder.
Ndërkohë, mbrojtësi i krahut të djathtë i Liverpoolit, Trent Alexander-Arnold e fitoi çmimin për lojtarin e ri më të mirë të vitit dhe është në garë edhe për çmimin për lojtarin e vitit, ku konkurrentë i ka edhe dy bashkëlojtarë të tij në Liverpoolit, Jordan Hendersonin dhe Sadio Manen.
Trofeu i Premierligës ishte i pesti për Kloppin në Anfield, ndërsa ai e ka mundësinë ta shtojë edhe një medalje të artë në koleksionin e tij më 29 gusht, kur do të përballet me Arsenalin në Community Shield.