Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, ka publikuar një video ku jepen deklarata të qytetarëve nga spitalet e Covid në vend, ku qytetarët thonë se i blejnë vetë të gjitha, nga ushqimet e deri te respiratorët për të afërmit e tyre.
“150 euro. Ja edhe maska, e kam blerë 200 euro.”– thotë një qytetar.
Një tjetër vazhdon: “S’kemi besim. I çojmë ushqime dhe nuk e ushqejmë. Nuk i merr vitaminat e duhura dhe duke pagujt..”
E një tjetër thotë se janë të detyruar t’i japin edhe para nën dorë infermierëve, që të kujdesen për të afërmit e tyre. “çdo infermieri nga 50 mijë lekë”.
Ish-deputetja Pampuri thotë se situata e pandemisë ka treguar se sa i madh është dështimi i qeverisë.
DENONCIMI I PAMPURIT
Pandemia nga COVID ka shfaqur para syve të të gjithëve sa e mjeruar është gjendja në spitalet tona, sa i madh është dështimi i qeverisë, sa e rrezikshme është kjo qeveri për shqiptarët. Kontrasti mes propagandës së qeverisë dhe realitetit është i jashtëzakonshëm.
Kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë flasin për spitale si në Zvicër, por qytetarët në hall në dyert e spitaleve tregojnë të vërtetën e dështimit të “shëndetësisë falas”. Ata blejnë vetë nga ushqimi i përditshëm deri tek respiratorët.
Shqipëria është e fundit për numrin e testimeve për 1 milion banorë. Shqipëria është ndër 4 vendet e para për vdekjet ditore dhe një nga vendet me numrin më të lartë të përhapjes së rasteve të reja.
Pamjet flasin vetë. Qytetarët vs kryeministri në ikje.