Greqia ka vendosur të pezullojë kuotën prej 750 personash që lejohen të kalojnë në pikën kufitare të Kakavijës vetëm për sot.
Ky vendim është marrë pas një marrëveshje mes palës greke dhe asaj shqiptare. Lajmi është konfirmuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe nga Ministria e Mbrojtjes.
Pala greke ka vendosur që të kalojnë qytetarët që ndodhen në kufi deri në orën 22:00 dhe të mos jetë më në fuqi shifra 750. Ky vendim përfshin dhe pikën kufitare të Kapshticës, e cila u mbyll më herët për shkak të plotësimit të kuotës prej 300 personash.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ministria e Mbrojtjes kanë konfirmuar paktin mes palëve, që parashikon që deri në orën 22:00 të mbrëmjes së sotme, dy pikat kufitare do të jenë të hapura pa kuota dhe pa test me vete për Covidin.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shkruan: “Kakavija dhe Kapshtica do të qëndrojnë hapur deri në orën 22:00. Risjellim në vëmendje që nesër nis kufizimi i ri nga pala greke duke vendosur kuota dhe kërkesa për formular dhe test negative. Qytetarët të mos paraqiten nesër në Kakavijë e Kapshticë pa formularin dhe testin negative. Orari i ri për ditën e sotme pas bisedimeve me palën greke.”
Më herët pati përplasje në Kakavijë, për shkak se kuota prej 750 personash ishte duke u plotësuar dhe qytetarë që kishin 3-4 ditë në radhë, ende nuk kishin mundur të kalonin.
Por nga dita e nesërme, duhet domosdoshmërisht që të gjithë qytetarët të kenë kryer testin për Covid 19, i cili duhet të jetë i përkthyer edhe në gjuhën angleze.
Sot radha në Kakavijë është e gjatë deri në 5 kilometër dhe duket se jo të gjithë do të kenë mundësi të kalojnë deri në orën 22:00 të mbrëmjes, duke patur parasysh edhe ritmet me të cilat po punohet./Hashtag.al