Vendosni fjalën kyçe....

“Jemi në limitet e 700-ës”- gati të mbyllet dhe kufiri në Kakavijë, përplasje fizike


Nga momenti në moment pritet të mbyllet edhe kufiri në Kakavijë, pasi kuota ditore prej 750 shtetasve shqiptarë që lejohen të kalojnë po plotësohet.

Drejtori i Policisë së Kufirit në Gjirokastër, Arben Joço, tha në një prononcim për televizionin “News 24” se deri tani kanë kaluar rreth 700 shtetas.

“Jemi në limitet e 700-ës. Ende po punohet siç e shihni”– tha Joço.


Kjo situatë ka irrituar qytetarët që presin dhe kërkojnë llogari nga punonjësit e policisë. Mes tyre ka nisur dhe një përplasje fizike.

“Asnjë problem nuk ka qeveria shqiptare. Po vijojnë prap përpjekjet për të vijuar punën. Ne na kanë thënë, nesër kalojnë 750 shtetas shqiptarë”- tha Joço duke u përpjekur të qetësojë qytetarët.

Ai sqaroi se duke nisur nga nesër qytetarët duhet të kenë testin me vete.

”Nga nesër me test COVID_19 negativ, dhe nr. Limit prej 750 personash që duhet të përmbushin kriteret. Dhe këto kritere vijojnë deri në njoftim të dytë. E njëjta gjë lidhet dhe me Kapshticën, të njëjtat kritere, aty do të jetë 300 limiti. Aktualisht aty është pezulluar kalimi për në  Greqi.

Këtu po vijojmë normalisht siç e shihni. Presim njoftimin nga pala greke. Dhe jemi gati të përballojmë fluksin. Nuk kemi njoftim për mbyllje. Presim një përgjigjie pozitive.

Nga dita e nesërme s’lejohet asnjë shtetas shqiptar rezident në Greqi pa test Covid negative. Deri tani jemi në limitet, rreth 700-ës. Presim konfirmim pozitiv nga palat greke për vijim të punës.”- tha Joço.

“Ka ardhur djali nga Athina në kufi që në 5 të mëngjesit. Do sillte ilaçet insulinën për burrin. E kanë lënë atje në kufi. Nëse nuk vjen djali, këtu do derdhet gjak. është njeri me trombozë në kokë.”- tha një zonjë.

“O shef, kryeministri e ka mbaruar plazhin apo është ende në plazh”– tha një qytetar tjetër.

Qytetarët janë të vendosur të mos lëvizin nga Kakavija dhe kërkojnë nga ISHP dhe autoritetet të vijnë t’u bëjnë testet në Kakavijë, pasi po humbasin vendet e punës. Nuk kanë mundësi të bëjnë dush, të lajnë duart, janë pa maska… dhe po qëndrojnë prej ditësh në kushte tejet të vështira.

Më herët u mbyll dogana në Kapshticë, pasi ishte plotësuar kuota ditore prej 300 shtetasish./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *