Pezullimi i punës nga pala greke që në orën 09:30 ka zemëruar qytetarët shqiptarë që presin që prej orëve të para të mëngjesit në pikën kufitare të Kapshticës.
Tamponi të vijë të bëhet këtu. Se nuk e lirojmë radhën ne, që të vijnë të tjerë e të kalojnë prapë 300 vetë.
“Kam që në 6, 6 e gjysëm. Kur erdhëm polici tha që kalohet. Shumë e vështirë, po rrimë këtu në diell me fëmijë të vogël. Kjo është katastrofë. Ku të shkoj? Të shkoj nga Durrësi. Do mundohem për të kaluar.”– tha një prind, që mbante fëmijën e tij në krahë.
“Jam këtu që në orën 7, si kaluan 300 veta për një orë. Vetëm 30 veta kanë kaluar. Për çfarë arsye nuk na lejohet të kalojmë?”– tha një tjetër.
Qytetarët e mbetur në Kapshticë kërkojnë ndihmën e qeverisë. Atyre u duket absurde që kufiri në Kapshticë të mbyllet që herët në mëngjes dhe të presin mëngjesin tjetër për të kaluar, përsëri pa patur siguri që do lejohen të kalojnë.
“Unë kam që në orën 8 këtu, më tha polici largohuni se është plotësuar numri. Më ndryshoi polici grek të gjithë pushimin. Nuk largohem nga dogana,kisha marrë lejen për të kaluar. E kam këtu aplikimin. Të shkojmë në punët tona, për 10 ditë fillon shkolla. Sot është e ligjshme për të kaluar. Të marrë masa qeveria që të kalojmë.”- thotë një qytetar.
Pak më herët pala greke pezulloi punën, për shkak se ishte plotësuar kuota e përcaktuar prej 300 vetash, që të lejohen të kalojnë në pikën kufitare të Kapshticës.