Ende në orët e paradites, por pala greke që tani e ka pezulluar punën në pikën kufitare në Kapshticë, për shkak se është plotësuar kuota e personave që lejohen të kalojnë.
Lajmi është konfirmuar nga Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë.
“Ditën e sotme, pas takimit që autoritetet shqiptare zhvilluan me palën greke, jemi informuar se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, drejt Republikës së Greqisë do të lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas.
Aktualisht kjo kuotë, është plotësuar dhe nga ana e palës greke është pezulluar puna.
Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që mos vijojnë të dynden dhe të shmangin krijimin e radhës drejt kësaj pike kalimi, pasi Dogana Greke aktualisht është e mbyllur.
Ju faleminderit për mirëkuptimin!”– thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet greke kanë vendosur që në këtë pikë kufitare mund të kalojnë vetëm 300 persona drejt shtetit grek, i cili ka marrë masa të forta kundër përhapjes së koronavirusit.
Por pavarësisht numrit të vogël të emigrantëve që mund të kalojnë, radhët mëngjesin e sotëm kanë vijuar të jenë të gjata, siç shihet edhe në videon e mëposhtme.
Dhe edhe pse e gjithë dita është para, pala greke tani ka mbyllur sportelet duke pezulluar punën duke qenë se 300 persona e kanë kaluar tashmë kufirin./Hashtag.al