Vendosni fjalën kyçe....

Si u katandis OBSH-ja kështu?


Nga Edvin Prifti

Shfaqja e radhës të funksionarëve më të lartë të OBSH-WHO. Një show mediatik, që mbase në epokën populiste që jetojmë ku diletantizmi është bërë shprehi kudo, mund të dëgjohet dhe pranohet deri diku nga publiku i gjerë, por në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me profesionalizmin që kjo organizatë duhet të përfaqësonte.

Duhet të ishte vendi ku të lindnin protokollet e trajtimit, linjat e guidës, kufizimi apo edhe eliminimi i pandemisë në kohë etj. Nuk kam qenë aspak dakord me vendimin e presidentit Trump për të mos financuar këtë organizatë, por në të vërtetë shpresoja që me iniciativë të tij, në transformimin radikal të saj. U deshën 10 muaj që të arrihej në këtë konkluzion?! Pas mëse 10 muaj të shfaqjes së SARS-COV2 flasin po të njëjtat gjëra pa asnjë perspektivë për të ardhmen:

1. Nga diskutimi i “specialistëve” të OBSH-së i tregohen publikut nëpërmjet mas medias koncepte vulgare shkencore të nivelit të kohës së Pasteur tipike të një scientia vulgaris ipsum plebe rusticus.

2. Në momentet e para edhe pse laboratorët e Wuhan janë, te OBSH nuk “dinin” ose mbase nuk donin të flisnin se për çfarë bëhej fjalë. Kjo mbase do të mjaftonte të izoloheshin vetëm punonjësit e laboratorit dhe njerëzimi nuk do të kishte këtë përballje. Kjo ishte humbja e shansit të parë.

3. Nuk ka asnjë autokritikë ndaj vetë organizatës dhe se si ajo menaxhoi hapat fillestare të epidemisë ku mbase vetëm izolimi i Kinës do të ishte zgjidhja parësore. U humb shansi i dytë. Këtu duhet shtuar që bashkëpunimi me qeverinë kineze i kësaj organizate i tejkalonte kufijtë e raporteve normale në me të paktën e thënë kjo!

4. Edhe pse nuk u izolua mund të merreshin masa për testime të udhëtarëve në aeroportet e Kinës dhe në vende të tjera. Nuk e dhanë as këtë rekomandim. U humb shansi i tretë.

5. Deri në këto momente nuk jepnin asnjë informacion shkencor valid për publikun, mbi masat e nevojshme dhe këtu nuk mund të shfajësohen se nuk njihnin virusin pasi ky virus njihej prej 17 vjetësh. U humb shansi i katërt.

6. Kur vendet e Evropës Jugore u prekën rëndë dhe ishte tashmë evidente ecuria, nuk bënë asnjë përpjekje decizive për të mbrojtur pjesët e tjera të globit, u humb shansi i pestë.

7. Në këto momente, kur ishte e qartë se ç’po ndodhte nuk dhanë asnjë linjë guide për t’u aplikuar psh., që duhen kaq shtretër terapie intensive për 1 milionë banorë, kaq ECMO, kaq mjekë intensivistë, kaq infermierë instensivistë, kaq mjekë infeksionistë, cili do të ishte Covid team i trajtimit, cili do të ishte roli i çdo qelize të sistemit, sa duhet të rriteshin financimet për përballimin, sa shtretër spitalorë dhe terapie intensive duhet të shtonte çdo vend që të kishte një përballje të qëndrueshme. U humb dhe shansi i gjashtë.

8. Pasi u infektuan 20 milionë dhe afërsisht 750 mijë vdiqën, i takonte kësaj organizate të bënte investigim publik dhe transparent për t’i treguar gjithë planetit se Pse dhe si ruheshin viruse të tillë në laboratorët e WHO-së në Wuhan dhe pse pikërisht atje, si ndodhi dhe u prodhua historia e lakuriqëve të natës si origjina dhe pse nuk përmendet më, si funksionuan sistemet e sigurisë, çfarë niveli i inxhinierisë gjenetike dhe biologjisë molekulare është aplikuar në laboratorët e Wuhan e shumë të tjera si këto. U humb shansi i shtatë.

9. Në një moment deciziv për njerëzimin si është e mundur që OBSH-ja nuk nxjerr asnjë protokoll rekomandues por vetëm trajtime opsionale?! Ku janë shkencëtarët e saj? Ku janë laboratorët? Ku është e gjithë ajo armatë që kur është mobilizuar ka kthyer fatet e njerëzimit. U humb dhe shansi i tetë.

Tani duhet të dëgjojmë nga OBSH-ja sugjerimet që Pasteri i madh i jepte dyqind vjet më parë. I gjithë njerëzimi i di. Të gjithë e dinë që duhen larë duart, duhet distancim social, maskat etj., dhe të gjitha duhen zbatuar. Për fat të keq, jo vetëm në Shqipëri po kudo, njerëzit nuk i zbatojnë.

A e dini pse, kolegë të nderuar, pasi pikërisht OBSH-ja, organizata dhe organizma qeveritare dhe jo qeveritare nuk u treguan transparentë dhe të sinqertë. E pra, këta funksionarë të departamenteve të OBSH-së, të cilët fshihen pas ndonjë vetrate mbi liqen në qytetin e mrekullueshëm të Gjenevës, duhet të jenë promotorët e ndryshimit dhe jo të shpjegojnë se sa i thjeshtë është një virus si një entitet biologjik por sa vrastar është ai, pasi ky është një koncept që njerëzimi ka kohë që e di.

Sikurse edhe ky koleg na e tregon që virusi “nuk ka tru” por ama ia ka kaluar OBSH-së për nga performanca dhe rezultati, ç’duhet të mendojë njerëzimi, nëse ky virus ka një tru që e menaxhon? Në 16 mars 2020 në një artikull timin të titulluar “Të pathënat e koronavirusit dhe inteligjenca virale” ku shpjegoja pikërisht që ky virus është gjithmonë një hap përpara inteligjencës njerëzore. Sigurisht një artikull i tillë i përket shkencës dhe publicistikës dhe kur dëgjon reporterët e WHO-së të flasin në të njëjtën gjuhë më duket një habi e madhe, pasi të gjithë i kemi sytë tek ata dhe terapitë dhe zgjidhjet e mundshme.

E pra një diskutim i tillë në sallat e prononcimeve për mediat të OBSH-së duket krejt i pavend. Realisht OBSH-WHO duhet imediatisht të riformohet dhe riformatohet dhe të distancohet nga burokracia teknokrate. Vetëm në këtë mënyrë do ti jepej përgjigjja e duhur atyre që e mendojnë si presidenti i SHBA-ve.

Pas gjithë këtyre humbjeve të shanseve nuk kemi asnjë dorëheqje nga kjo organizatë, asnjë mea culpa dhe asnjë dëshirë për t’u transformuar. Sigurisht që një organizatë pan planetare për shëndetin e njerëzimit është e domosdoshme por ajo duhet të ketë në përbërje të saj profesionalizmin, shkencën transparencën për publikun dhe jo këtë histori 10 mujore që mbase në opinionin tim personal duhet të ishte shumë më e ndryshme, pasi çdo veprim apo mos veprim i gabuar ndikon në mënyrë direkte në numrin e vdekjeve, shëndetin e popullatës, cilësinë e jetesës, mbylljen e shoqërive njerëzore, kolapsit ekonomik dhe për rrjedhojë në varfërinë dhe konfliktet në shkallë të gjerë.

Ja pra sa e domosdoshme është një OBSH-WHO në nivelet e duhura dhe jo në deklarata banale maskash dhe distancimi social, të cilat i përshtaten më shumë spoteve publicitare që mund të transmetohen në çdo kanal televiziv. Të shpresojmë që reflektimi do të vijë me kohën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *