Turqia dhe Irani e kanë kritikuar ashpër marrëveshjen e paqes të nënshkruar nga Emiratet arabe de Izraeli duke e quajtur atë ‘thikë pas shpine ndaj myslimanëve’ dhe ‘idiotësi trategjike’.
Sipas Ankarasë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë tradhëtuar palestinezët në ndjekje të interesave egoiste kur vendosën të krijojë lidhje diplomatike me Izraelin, tha Ministria e Jashtme e Turqisë në një deklaratë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se populli palestinez ka të drejtë të refuzojë me forcë marrëveshjen mes dy vendeve.
“Përmes makinacioneve të tij egoiste Abu Dhabi ka minuar bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme dhe tradhëtoi palestinezët. Historia dhe ndërgjegjja e kombeve në rajon nuk do ta harrojnë dhe nuk do ta falin kurrë këtë veprim hipokritik nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili tradhëtoi kauzën palestineze për hir të interesave të tyre të ngushta” – tha Ministria e Jashtme turke.
I ashpër ishte edhe qëndrimi i Teheranit. Sipas këti të fundit, marrëveshja Emirate Arabe-Izrael është një një hap ‘i rrezikshëm’ duke paralajmëruar se kjo vetëm do të forconte rezistencën palestineze kundër okupimit izraelit.
“Historia do të tregojë se ky ishte një gabim strategjik nga Izraeli. Thika nga Emiratet e Bashkuara Arabe në shpinën e palestinezëve dhe të gjithë myslimanëve do të çonte vetëm në forcimin e rezistencës, unitetit dhe solidaritetit kundër Izraelit.” – thuhet në reagimin e Iranit.
Pak ditë më parë Izraeli e Emiratet e Bashkuara Arabe arritën një marrëveshje me 5 pika të ndihmuar e përkrahur nga SHBA-ja. Marrëveshja parasheh vendosjen e selive diplomatike, investime dypalëshe zhvillimin e turizmit etj.