Të gjithë shqiptarët që do të udhëtojnë drejt Italisë do iu bëhet tamponi falas në aeroporte nga autoritetet italiane.
Ky është lajmi i fundit që konfirmohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Sipas njoftimit të ministrisë, kjo nuk do të aplikohet për qytetarët e Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë, të cilët do të duhet të bëjnë testin e koronavirusit vetë në vendin e tyre, nëse do të udhëtojnë drejt Italisë.
Shqiptarët që do t’u kryhet tamponi falas në aeroporte, kanë për detyrim të qëndrojnë të izoluar për dy ditë në banesat e tyre derisa të dalë përgjigja e tamponit.
Njoftimi i Ministrisë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nisur nga vendimet e vendeve të ndryshme lidhur me kufizimet në regjimin e lëvizjeve të udhëtarëve, njofton se sipas Dekretit të fundit, datë 12 gusht 2020, të shtetit italian lidhur me hyrjen në territorin e Italisë, nevojitet paraqitja e testit me rezultat negativ për Covid-19 për qytetarët e Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë, link: http://www.salute.gov.it/portale/homeMobile.jsp.
Momentalisht, për qytetarët të cilët nuk e kanë detyrim sipas Dekretit që të paraqesin testin, autoritetet italiane kanë marrë masa që këtyre pasagjerëve t’u kryhet tamponi (falas) në momentin e mbërritjes në aeroport në mënyrë që të vijojnë më tej drejt destinacionit të tyre. Kjo masë është marrë për shtetet që nuk janë të përfshirë në Dekret, me qëllim mospërhapjen e virusit Covid-19 në Itali.
Sikurse ndodhi edhe me udhëtarët që mbërritën në aeroportin e Perugia-s me fluturimin e sotëm nga Shqipëria, ora 14:00, ekipet mjekesore italiane të vendosura në aeroport u kryen pasagjerëve tamponin falas, si dhe procedurat e tjera përfshirë deklarimin e të dhënave personale në një formular të posaçëm. Përgjigja e tamponit do të dërgohet pas 48 orësh. Gjatë kësaj periudhe të gjithë qytetarët janë të detyruar të kryejnë karantinimin/izolimin në banesën e tyre në pritje të rezultatit.
Me qëllim parandalimin e situatave problematike në regjimin e lëvizjeve të udhëtarëve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ju fton që të ndiqni informacion të përditësuar mbi lëvizjen jashtë vendit. Klikoni në web-in zyrtar https://bit.ly/2E2s3MZ , si dhe shfletoni rubrikën COVID -19. Në këtë hapësirë, mund të aksesoni informacionin për shtetin ku doni të lëvizni, kriteret përkatëse dhe procedurat e ligjshme që duhen plotësuar nga ana juaj, për të realizuar kalimin në shtetin tjetër.
Lutemi në mirëkuptimin e çdo qytetari, që udhëtimet të ndërmerren vetëm për arsye madhore dhe të shmangen udhëtimet që nuk janë të domosdoshme.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diasporës