Pas katër ditësh me radhë kilometrike, është zhbllokuar Pika Kufitare e Kapshticës.
Emigrantët që prisnin me orë të tëra apo dhe me ditë të tëra për të ikur drejt Greqisë, kanë kaluar më në fund.
Kjo është arritur pas marrëveshjes Shqipëri – Greqi të dakordësuar disa orë më parë. Palët në Kapshticë kanë punuar me sportele maksimale dhe qytetarët që ishin në pritje janë larguar tashmë.
Por ndërkohë është ngritur një Postbllok policie ne qytetin e Bilishtit për të mos lejuar përsëri dyndjen tashmë drejt Kapshticës.
Sipas televizionit “News 24”, rreth 5 autobusa dhe mjete personale nuk lejohen të shkojnë në Pikën Kufitare të Kapshticës për t’u larguar më pas për në Greqi. Janë gjithsej 200 persona të bllokuar në dalje të Bilishtit.
Marrëveshja u bë për të kaluar ato automjete që kanë qenë tashmë në radhë për orë të tëra dhe postblloku u ngrit për të penguar automjetet e tjera që vijnë. Pjesa tjetër e automjeteve që vijnë do të lejohen të kalojnë nesër, duke zbatuar masat e reja, që përfshijnë rezultatin negativ për Covid-19, të përkthyer edhe në gjuhën angleze.