Vendosni fjalën kyçe....

Shahini: Kemi përgatitur disa skenarë për fillimin e vitit shkollor por i takon Task-Forcës të vendosë se cilin model


Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini nëpërmjet një video-mesazhi ka folur për vitin e ri shkollor i cili këtë vit do jetë i pazakontë për shkak të pandemisë.

Ministrja tha se janë duke u bërë përgatitjet nga institucionet dhe është ndërtuar edhe draft-udhëzimi me skenarë të ndryshëm për fillimin e viti shkollor i cili ka synim kthimin në bankat e shkollës.

Shahini tha se vendimin nëse mësimi do bëhet me orar të pjesshëm apo të plotë apo edhe të kombinuar me kushtet e shtëpisë i takon TaskForcës për koronavirusin që ta marrë në varësi edhe të situatës.

Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”-tha Shahini.

Ministrja shtoi se shumica e nxënësve, prindërve dhe mësuesve duan të kthehen në shkollë, kjo pasi që mësimi në kushte shtëpie është i vështirë.

Dhe kjo është e rëndësishme, sepse ju kam dëgjuar me shumë kujdes: shumica e nxënësve, prindërve dhe mësuesve duan të kthehen në shkollë. Mësimi në kushte shtëpie është i vështirë. Është i domosdoshëm kur nuk mund të kthehemi në shkollë, mirëpo është i vështirë. Ndaj, ju lutem, të ruani distancën, mbani maskat dhe higjienën në mënyrë që të rrisim shanset për t’u kthyer në bankat shkollore”, tha Ministrja Shahini.

Në fund Shahini theksoi se “në momentin e parë që të kemi një orientim nga Task-Forca për Koronavirusin se në çfarë forme do të mund të fillojë ky vit shkollor, ne do t’i bëjmë të gjithë konsultimet e nevojshme me këshillat e prindërve, me sindikatat dhe parlamentin e nxënësve dhe do t’ju informojmë çdo ditë për vendimmarrjen, si dhe për mënyrën se si do të zbatohet plani ynë për fillimin e vitit të ri shkollor”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *