Partia Demokratike ka denoncuar mungesën e një plani nga qeveria lidhur me hapjen ose jo të shkollave e universiteteve.
Në një deklaratë nga eksperti për çështjet e arsimit në selinë blu, Ndriçim Mehmeti, thuhet se ministrja e Arsimit nuk ka zbuluar ende se çfarë do ndodhë me 640 ijë nxënës e studentë për sa i përket sezonit të ri shkollor.
“Kryeministri në ikje Edi Rama zgjodhi sërish plazhin përpara 640 mijë nxënësve dhe studentëve. Ai vazhdon të heshtë, nëse qeveria ka ndonjë plan për hapjen apo jo të shkollave në shtator.
Reagimi i Ministres së tij të Arsimit ishte anemik. Na tha se nuk kanë asnjë plan dhe nuk kanë ndërmend të bëjnë diçka konkrete. Njësoj si për pandeminë, edhe plani për shkollat është imagjinar. Ministrja nuk na tha sesi do të bëhet mësimi online, do të bëhet në klasë apo i alternuar. Nuk na tha masat për secilën alternativë. Me pak fjalë, ajo që mësuam se gjithçka do të improvizohet në minutën e fundit.
Kanë ftuar me sms mësuesit të kthehen në shkollë dhe të përgatisin mjediset për fillimin e vitit të ri shkollor, por askush nuk di asgjë çfarë do të bëhet. Ministria e Arsimit nuk ka nxjerrë asnjë udhëzim, përveç datës së fillimit të vitit të ri shkollor, për mënyrën sesi do të fillojë mësimi, online, në klasë në kushte e distancimit fizik, i alternuar!?” – tha Mehmeti.
Ai shtoi më tej se në vend ka 106 skolla të rrënuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe deri tani nuk ka përfunduar ende asnjë shkollë.
Mehmeti theksoi se pjesa dërrmues e shkollave të dëmtuara janë në zonat urbane, gjë që e rëndon situatën.
“Gjithë kësaj paqartësie i shtohet fakti se sipas deklarimit të qeverisë, kemi 106 shkolla të rrënuara plotësisht dhe ende asnjë shkollë të përfunduar. Gjendja është edhe më shqetësuese po të kemi në konsideratë faktin, se shkollat e rrënuara ndodhen në qendrat më të mëdha urbane, aty ku edhe numri i nxënësve është më i madh. Aktualisht ndodhemi në vendin ku dikur ishte shkolla “Sami Frashëri”, e shembur pa asnjë procedurë transparente pas tërmetit. Largimi i nxënësve nga shkolla ka shtuar numrin e tyre në klasa. Në Tiranë, Durrës, Vorë edhe më parë numri i nxënësve në klasë i kalonte shifrat e 38-40 nxënës. Po tani si do të operojë Ministria e Arsimit me nxënësit e shkollave që nuk janë të gatshme për t’u hapur? Sipas një llogarie të thjeshtë janë më shumë se 8 mijë nxënës që mësonin në shkollat e shkatërruara nga tërmeti. Me pandeminë, situata është rënduar edhe më shumë, për shkak se qeveria nuk ndërtoi asnjë shkollë të re.” – vijoi Mehmeti.
Ai e akuzoi qeverinë për afera korruptive lidhur me disa shkolla në vend duke përmendur dy raste, një në Tiranë dhe një Thumanë.
“Gjithashtu PD i rikujton publikut dhe organeve të drejtësisë, se rrënimi i shkollave, nuk ishte vetëm pasojë e tërmetit por edhe e aferave korruptive të qeverisë dhe pushtetit lokal . Le t’u referohemi fakteve konkrete. Shkolla “Ramazan Jangozi “, në Thumanë u inaugurua si ndërtimi ri nga themelet, në shtator të vitit 2019 dhe u rrënua në themel nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Investimi i përbashkët i Bashkisë Krujë dhe MASR, për ndërtesën e shkollës, kapte shifrën 500 mijë euro. Pyetja është: Si u shkatërrua shkolla në më pak se dy muaj. Rast tjetër flagrant është edhe ai i shkalles “Sami Frashëri”. Z. Veliaj e promovoi në 9 gusht 2018 si modelin e shkollës së rikonstruktuar, që do të përhapej në të gjithë bashkinë e Tiranës. Në 26 nëntor 2019 ajo u bë e pabanueshme. Ku shkoi gjithë ai investim dhe mburrje e kryetarit të bashkisë së Tiranës? Ku shkuan tabletat, të cilat kushtuan qindra mijëra euro, që sipas ministres Shahini, ishin në shkollë dhe do të bëheshin aktive për nxënësit sa të përfundonte periudha e COVID-19? Këtyre aferave të mëparshme u shtohet edhe fati se shumica e shkollave janë planifikuar të rindërtohen me PPP, duke rënduar barrën e borxheve për shqiptarët dhe duke shtuar hijet e korrupsionit në rindërtimin e shkollave.” – shtoi Mehmeti.
Në fund, Mehmeti tha se publiku, prindërit, nxënësit e mësuesit duan të dinë nëse shkollat do hapen, nëse janë marrë masat që ata të ruhen nga Covid-19 e nëse shkollat e rrënuara do zëvendësohen me fillimin e vitit të ri shkollor.
“Publiku, prindërit, nxënësit mësuesit duan të dinë nga Ministria e Arsimit dhe kryeministri në ikje Edi Rama, se: A ka një plan Ministria e Arsimit për hapjen e shkollave të arsimit para universitar; A janë marrë masat për distancimin fizik të nxënësve; A ka një zë të veçantë në buxhet për përballimin e kostos së mësimit në klasë apo edhe në distancë; A do të vihen në dispozicion të nxënësve të cilëve i kanë shkollat e rrënuara, godina të tjera etj. Duket qartë që qeveria nuk ka një plan masash të detajuar për fillimin e vitit të ri shkollor, nuk ka buxhet dhe nuk ka as vullnet dhe as dëshirë të zhvillojë arsimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.” – mbylli deklaratën Mehmeti.