Pesë personave të dënuar më herët për vepra të ndryshme penale u ka shkuar formulari i vetëdeklarimit të pasurive.
Pas policisë bëhet fjalë për Elis Bahushin, Edmond Stafën, Met Bozin e Bledi Çepën nga Elbasani dhe Armand Gavellin nga Berati.
Ndër emrat e lartpërmendur, Met Bozi, njihet si një nga personat e përfshirë në masakrën e Cërrikut ku mbetën të vrarë 6 gardistë e u plagosën 16 të tjerë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në maj të vitit 1997 ndërsa sipas dëshmitarëve që shpëtuan gjallë nga masakra, Bozi kishte dhënë urdhër që gardistët të digjeshin të gjallë.
Bozi është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2011.
Njoftimi
Operacioni Forca e Ligjit i ka kërkuar sot vetëdeklarimin e pasurive, pesë tëdënuarve, katër prej të cilëve janë nga Elbasani dhe njeri nga Berati. Ata janë: Elis Bahushi, Edmond Stafa, Met Bozi, Bledi Çepa, Armand Gavelli,
Elis Bahushi, banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”;
Edmond Stafa, banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
Met Bozi, banues në Elbasan,i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;
Bledi Çepa, banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Armand Gavelli, banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.