Vendosni fjalën kyçe....

Shkollat në vend hapen me 14 shtator


Shkollat në vend do hapen më 14 shtator. Vendimi është pohuar nga ministret Shahini e Manastirliu në një komunikim të drejtpërdrejtë nëpërmjet video-konferencës.

Ministrja e Shëndetësisë tha se parakusht për hapjen e tyre do jetë krijimi i kushteve dhe respektimi i protokolleve të sigurisë që janë përcaktuar nga ekspertët e shëndetit publik

“Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjeno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit. Ndaj çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe sigurisht duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike.” – tha Manastirliu.

Ajo shtoi se sipas vlerësimeve ndërkombëtare, transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjienës dhe masa te tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit.

Ndërsa ministrja e Arsimit, Shahini tha se në disa shkolla mësimi do kryhet me turne ndërsa procesi i hapjes do jetë i kujdesshëm.

Ajo shtoi se bashkitë duhet të nisin përgatitjet për këtë proces.

“Ka shkolla që do t’i ndajmë në turne dhe shkolla të tjera në zonat e tërmetit, që kanë një numër shumë të madh nxënësit dhe kemi menduar t’i ndajmë në turne ose në shkolla të tjera afër. Ne kemi menduar t’I hapim shkollat me shumë kujdes. Duke parë modelet e vendeve të tjera, që kanë klasa të vogla si Francën dhe Gjermaninë, që kanë vendosur t’i hapin në grupe të vogla, edhe ne duam t’i hapim shkollat por sipas specifikave që kanë shkollat individuale dhe duke kombinuar edhe mësimin online apo në rastet kur duhet të mbyllet një shkollë. Bashkitë duhet të fillojnë të përgatiten tani për hapjen e shkollave. Kërkojmë dhe mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë për të na mbështetur në hapjen e shkollave në shtator.” – tha Shahini.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *