Dyshohet se i riu që u vra mbrëmjen e djeshme në Shkodër është qëlluar aksidentalisht nga shoku i tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen Qafëhardhi ku 23-vjeçari Gledis Kraja mbeti i vdekur pas një breshërie me automatik për të cilën akuzohet shoku i tij, Sebastian Smakaj dhe i vëllai, Stjuart Smakaj.
Siç raporton gazetari i News24, Senad Nikshiqi, autori i dyshuar i ngjarjes, Sebastian Smakaj kishte porositur mobilie për shtëpinë në një kompani në Shkodër. Aty ai është përplasur fillimisht me punëtorët e mobilerisë e më pas me pronarin e saj për bllokimin e rrugës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak metra pranë lokalit dhe picerisë që ka në pronësi familja e dy vëllezërve Smakaj.
Sipas gazetarit, Smakaj ka shkuar në shtëpi ku ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar 14 plumba në drejtim të pronarit të mobilerisë, por një plumb ka kapur edhe shokun e tij, Gledis Krajën, i cili humbi jetën në spitalin e Shkodrës.
Mësohet se viktima në momentin kur mbeti i plagosur është dërguar në spital nga vëllai i madh i autorit të dyshuar.