Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka bërë me dije se pasaportat e shtetasve shqiptare që skadojnë brenda vitit 2020 njihen si të vlefshme nga autoritetet greke.
Vendimi krijon lehtësi për emigrantët shqiptarë të cilëve u nevojitet pasaporta për të marrë shërbimet në shtetin grek.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se nga Zyrat e të Huajve të shtetit grek, deri në datën 31 dhjetor 2020, do të pranohen si dokumente të vlefshme të gjitha pasaportat shqiptare, të cilat kalojnë afatin e vlefshmërisë brenda vitit 2020.
Ky vendim i qeverisë greke krijon lehtësi për emigrantët shqiptarë, të cilët do të mund të marrin shërbimet e nevojshme në shtetin grek, duke përfshirë rinovimin e lejeve të qëndrimit, shërbimet e mbrojtjes sociale, shëndetësore e arsimore. Gjithashtu, emigrantëve shqiptarë nuk do t’ju kërkohet leje kalimi në rast të udhëtimit të tyre nga Greqia për në Shqipëri”-thuhet në njoftimin e MEPJ-së.