Kryeministri i Kosovës, Hoti, është kthyer sërish në zyrë pasi është shëruar nga Covid-19. Në një reagim në Facebook, ai u bën thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes e të respektojnë masat e vendosura për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Më tej ai e cilëson si shqetësues faktin se një pjesë qytetarësh nuk besojnë se virusi ekziston.
Në fund Hoti shton se qeveria do bëjë çmos që t’u qëndrojë pranë qytetarëve e bizneseve lidhur me pasojat që shkakton pandemia.
“Pas dy javësh trajtimi mjekësor dhe në izolim, sot u jam kthyer detyrave në zyrë i shëruar plotësisht nga Covid-19. Bashkëndjej dhe u dëshiroj shërim të shpejtë të gjithë të prekurve.
Shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje sërish, të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë në përpikëri masat për mbrojtje nga COVID-19. Ka ende qytetarë që nuk besojnë se virusi ekziston dhe kjo është shqetësuese.
Numri i rasteve me të infektuar dhe viktima vazhdon të jetë i lartë, prandaj derisa të zbulohet vaksina, ne duhet të tregojmë kujdes të shtuar. Bashkë me kabinetin, jemi të vendosur më shumë se kurrë që ta shtyjmë përpara agjendën e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe t’u qëndrojmë pranë qytetarëve e bizneseve në ballafaqimin me pasojat e shkaktuara nga pandemia.” – shkruan Hoti.