Pas arritjes së marrëveshjes për qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut mes LSDM-së e BDI-së, ditën e sotme pritet të publikohen edhe emrat e qeverisë së re.
Gjatë fjalës së tij, Zaev tha se do shfuqizohet Qeveria e Përzhinos dhe se në vend të saj në 100 ditët e fundit qeverinë do e drejtojë një kryeministër tjetër i propozuar nga BDI-ja, shkruan INA.
Emri i vetëm që nuk ndryshon në marrëveshje është ai i Talat Xhaferrit, i cili do jetë kreu i Kuvendit edhe për katër vitet e ardhshme.
Emrat e ministrave do bëhen të ditur gjatë ditës së sotme. zaev ka paralajmëruar se në qeverinë e re do ketë zvogëlim të privilegjeve të funksionarëve, zvogëlim me 20% të numrit të administratorëve, sistemim të administratorëve që marrin paga por qëndrojnë në shtëpi, luftë kundër korrupsionit, veting për politikanët dhe pastrim në gjyqësor. Tha se prioritet i qeverisë së ardhshme do të jetë lufta ndaj koronavirusit dhe zhvillimi ekonomik i vendit.
Pjesë e qeverisë së re do të jetë edhe PDSH-ja, lideri i së cilës, Menduh Thaçi është i vetmi deputet nga radhët e partisë në këtë përbërje parlamentare.