Është zbardhur dëshmia në polici e Stjuart Smakajt, i cili u vetëdorëzua një ditë më parë pasi akuzohet prej vrasjen e shokut të tij, 23-vjeçar Gledis Kraja.
Smakaj është shprehur i penduar teksa ka pohuar se ka qëlluar në drejtim të një makine pa e ditur se pas saj qëndronte shoku i tij.
Ai ka deklaruar se pas përplasjes me Denis Halilin, ka shkuar në shtëpi të marrë armën pasi dyshonte se Halili do e qëllonte.
“Kam qëlluar në drejtim të makinës, ku ishte Denisi, por nuk e dija se aty kishte shkuar edhe shoku im dhe e kam vrarë gabimisht.”, ka thënë ai.
Sipas Smakajt, sherri ka nisur për parkimin e kamionit të mobilieve, të cilat i kishin porositur dy vëllezërit dhe më pas palët janë konfliktuar fizikisht mes njëri-tjetrit.
Ndërsa shtetasi Denis Halili ka deklaruar se kur ka ikur në drejtim të makinës, atë e ka ndjekur nga pas shtetasi Gledis Kraja që të mos futej brenda në mjet. Në atë moment kur të dy ndodheshin te makina kanë dëgjuar krismat e armës.
“Kam ikur me shpejtësi, jam shtrirë dhe më pas kam ikur me vrap për t’i shpëtuar plumbave. Duke ikur kam parë se Gledis Kraja ishte plagosur dhe ra në tokë.”, ka deklaruar Halili.