Tashmë pacientët e infektuar meCovid-19 që marrin trajtim mjekësor në spital mund të trajtohen edhe me terapinë me plazmë të personave që tashmë e kanë kaluar sëmundjen.
Procedura do të kryhet nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, dy spitaleve universitare, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga banka e gjakut në QSUT, ka deklaruar se janë marrë masat dhe janë finalizuar protokollet për terapinë e plazmës.
“I gjithë ekipi i qendrës së gjakut, QSUT, i drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë hartuar protokollet për terapinë me plazëm. Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale tha se janë marrë masat për kryerjen e të gjithë procesit, që nga ekzaminimet e deri te procesi final i trajtimit.
Manastirliu ka kërkuar nxitjen e zinxhirit të solidaritetit për dhurimin e plazmës nga personat që e kanë kaluar sëmundjen.
“Sot ne nisim fushatën ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’ dhe tashmë kemi dhuruesit e parë që e kanë kaluar sëmundjen por është e rëndësishme që të krijojmë zinxhirin e solidaritetit, për të ndërtuar bankën e plazmës për të ndihmuar ata qytetarë që kanë nevojë për këtë trajtim mjekësor në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.