Nënkryetari i LSI-së, Vasili, i ka bërë thirrje SPAK-ut të hetojë lidhur me publikimin e dokumentit nga presidenti Meta, sipas të cilit, ambasada shqiptare në Athinë e kishte lajmëruar Ministrinë e Jashtme që në datën 5 gusht lidhur me ndryshimin e regjimit në pikat kufitare mes Greqisë e Shqipërisë.
Vasili tha se 3 ditë pas bërjes publike të këtyre të dhënave, prokuroria nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim.
“Të nderuar qytetarë dhe qytetare! Është shumë e gjallë në memorien tonë tragjedia humanitare që u konsumua për ditë të tëra në pikën kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës ku dhjetëra mijëra shqiptarë u bllokuan dhe qëndruan në kushte tepër të vështira dhe tepër të rënda, shëndeti i tyre u rrezikua seriozisht sikurse dhe interesesat e tyre private lidhur me punën, e cila është jetike për ta në shtetin grek. Por çështja më dramatike, ajo që tregon se në çfarë derexheje ndodhet shteti shqiptar është pikërisht fakti i bërë publik që qeveria shqiptare me shkresë dhe informacion zyrtar nga ambasada jonë në Athinë u njoftua 2 javë më parë lidhur me vendimet e reja që kishte nxjerrë qeveria greke. Sot pas 3 ditësh të bërjes publike të këtij fakti të Kreut të Shtetit nuk ka asnjë lëvizje nga Prokuroria Speciale për shpërdorimin e tmerrshëm të detyrës të Kryeministrit Edi Rama, njëherazi dhe Ministër i Jashtëm, nuk ka asnjë hetim për këtë çështje dhe e gjithë ajo që ndodhi me shqiptarët ka rënë në vesh të shurdhër dhe nuk përbën asnjë interes.” – tha Vasili.
Vasili shtoi më tej se i vetmi hetim që po zhvillohet është ai i Ministrisë së Jashtme që kërkon të zbulojë se nga doli informacioni i publikuar nga presidenti Meta.
“Duhet të dini që i vetmi hetim për ngjarje të këtij dimensioni është që Ministria e Punëve të Jashtme ka nisur për të zbuluar se si u informua Kreu i Shtetit lidhur me këtë çështje. Pra informacioni që Kreu i Shtetit merr në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me atributet që detyra i jep, pra një informacion krejtësisht zyrtar dhe korrekt, hetohet se përse e vërteta del në shesh. Nuk hetohet fati i mijëra shqiptarëve, nuk hetohet një tragjedi e cila bëri që të humbin edhe jetë njerëzish, bëri që të akuzohet nga qeveria populli, të akuzohet qeveria greke, të akuzohet edhe një fëmijë i gjorë që humb jetën si fajtor që ndërron jetë, pra ngjarje njëra më e rëndës se tjetra, me pasojat më të rënda dhe më katastrofike, nuk hetohen nga Prokuroria Speciale.” – shtoi Vasili.
Ai shtoi se SPAK-u nuk ka bërë asgjë deri tani dhe në vend që të merret me çështjet e rëndësishme që shqetësojnë vendin duke iu referuar bllokimit të emigrantëve shqiptare për ditë me radhë në kufirin mes dy vendeve.
“S’ka lëvizur gishti. Prokuroria Speciale që është e gatshme të merret me gjërat më të parëndësishme të këtij vendi, që nuk merret jo me peshqit e mëdhenj, por as edhe me cironkat, këtë peshkaqenin e madh që shpërdoron detyrën ditën për diell dhe që e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë, pra dy javë rresht kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme është shëllyer në diell në Dhërmi dhe në Jalë. Nuk ka lëvizur gishtin nga pushimet. Ai dhe ministrat e tij të njoftuar gjerë e gjatë, në mënyrë të veçantë ministri i Brendshëm, gjithë personat në detyrë në Ministrinë e Jashtme dhe ministritë e tjera, por kryeministri i pari si ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Pra nuk ka asnjë hetim për këtë shpërdorim që mund të prodhojë pasoja katastrofike dhe hetim ka se përse kjo e vërtetë u bë publike dhe shqiptarët u njohën se ç ‘qeveri të papërgjegjshme dhe të kriminalizuar që kanë.” – tha ai.
Zv.kryetari i LSI-së deklaroi gjithashtu se qeverinë nuk e shqetëson asgjë ndërsa tha e SPAK-u në vend që të hetojë, mbulon e fsheh të vërtetat në shërbim të qeverisë.
“Një qeveri që nuk e shqetëson as jeta e as fati i njerëzve por i shqetëson se si të mbyllin të vërtetat, se si këta të mos ndëshkohen. Pra pandëshkueshmëri e plotë. Absolute. Të gjithë ata që kanë dëgjuar kilometra me fjalime, në shqip e në anglisht për Reformën ne Drejtësi, janë sot përpara provës se të vërtetës. Cila ishte reforma ne drejtësi Kjo reformë që shpërdorimin e detyrës sa një mal te kryeministrit, të informuar me shkrime nga ambasadorët edhe e propozuar prej tij, nuk i heton këto veprime. Këto shpërdorime kaq të rënda me pasoja katastrofike në planin njerëzor, humanitar, shtetëror, por nis hetim se si informohet kreu i shtetit për këto të vërteta për të cilat ky informacion duhet të ishte rutinë, i zakonshëm dhe që nuk përbënte asnjë lajm. Pra kemi një prokurori speciale për të fshehur të vërtetat.Është e qartë që të vërtetat nuk mbyten. Kjo leter ishte një damkë. Ky dokument ishte një damkë e pashlyeshme për sot e për mot dhe sigurisht kryeministri ose ndokush tjetër mund ta ndjejë veten të qetë për 24 orë, për 72 orë, po dhe 96 orë, po dhe 1 javë, 2 javë. I garantojmë që jeta është më e gjatë se kaq. Dhe kjo mizori për shqiptarët , kjo pandjeshmëri për ta është një llogari e hapur.” – vijoi Vasili.
Në fund Vasili tha se SPAK-u nuk do mund t’i shpëtojë përgjegjësisë për hetuar ngjarjen duke shtuar se kohës së pandëshkueshmërisë dhe përmbysjes së madhe i ka ardhur momenti.
“Kohës së pandëshkueshmërisë dhe përmbysjes së madhe i ka ardhur momenti dhe është pa kthim, të gjitha këto që denoncojmë sot, është një betim solemn që nuk do të mbeten kurrë pa ndëshkuar, është një detyrim që opozitës shqiptare dhe drejtësisë shqiptare ia ka dhënë populli shqiptar, ia kanë dhënë dhjetëra, mijëra njerëz në Kakavijë dhe është jo vetëm detyrim, por është një amanet që duhet çuar deri në fund dhe që do të çohet patjetër deri në fund.” – mbylli reagimin Vasili.