Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë ka zbardhur bisedën telefonike mes kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Jashtëm Sergej Lavrov.
Tema kryesore e bisedës ka qenë situata në Bjellorusi lidhur me propozimin e Kryesisë shqiptare të OSBE-së për zhvillimin e një dialogu mes qeverisë dhe opozitës së Minskut zyrtar.
“Më 20 gusht, me iniciativën e palës shqiptare, u zhvillua një bisedë telefonike midis Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të OSBE-së, Edi Rama.
Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës. Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t`u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e “ndërmjetësimit evropian” në Ukrainë në shkurt 2014.
Bashkëbiseduesit rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas, duke përfshirë nevojën për të përgatitur raporte objektive për atë që po ndodh në të dyja anët e linjës së kontaktit në Donbas”-thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Kryesia shqiptare e OSBE-së ka ofruar ndërmjetësimin e dialogut mes qeverisë bjelloruse të drejtuar nga Aleksandër Lukashenko dhe opozitës së bashku me shoqërinë civile.
Së bashku me kryesinë shqiptare të OSBE-së edhe Ministria e Jashtme e Suedisë është angazhuar për të marrë pjesë në ndërmjetësimin e dialogut.
Po ashtu Presidenti francez Macron gjatë takimit të sotëm me kancelaren gjermane Angela Merkel u shprehën se BE-ja ofrohet për ndërmjetësimin e krizës por që në këtë dialog të jetë pjesëmarrëse në të./Hashtag.al