Shqipëria u rendit e pesta në Europë për nivelin e lartë të rritjes së çmimeve sipas metodologjisë së Eurostat me 2,1 %. Kjo vlerë ishte 0.7 pikë përqindje më e lartë se, matjet e brendshme nga INSTAT që raportuan rritje të inflacionit me 1.4 % në muajin korrik.
Sipas metodologjisë së Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve prej 4,3 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,7 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,5 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,9 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Komunikimi” me 0,4 % dhe “Shëndeti” me 0,2 %.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,2 %. Në muajin Korrik 2020, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,5 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,0 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,0 % dhe “Veshje dhe këpucë” me 0,1 %.
Çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 2,6 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 % secili dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,1 %.
Nga muaji Janar 2017, INSTAT nisi publikoi Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit i llogaritur në bazë të Rregullores së Komisionit Europian.
Peshat për IHÇK janë llogaritur në përputhje me Rregulloren e KE Nr. 2494/95 dhe Rregulloren e KE Nr. 1688/98. Peshat reflektojnë strukturën e Shpenzimeve Monetare të Konsumit Final të familjeve shqiptare dhe jo shqiptare në territorin e Shqipërisë.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë.
IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor