Presidenti Meta ka qenë në Derviçan të bashkisë Dropull ku ka nderuar tre personalitete të minoritetit etnik grek.
Kreu i shtetit ka vlerësuar me urdhrin ‘Mjeshtër i Madh’, ish-futbollistin e Partizanit, Lefter Millo.
Me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’ është vlerësuar ish-volejbollisti Kristo Ndrico ndërsa mësuesi e gazetari Sokrat Papadhopulli është vlerësuar me titullin ‘Për Merita të Veçanta Civile’.
Meta shkruan se mezi ka pritur të vizitojë Derviçanin dhe krahinën e Dropullit për të vlerësuar disa personalitete të shkëlqyera të minoritetit grek, të cilët kanë dhënë kontribut tepër të çmuar në shumë fusha, veçanërisht për sportin shqiptar.
“Rrallë ndodh që tek personaliteti i një futbollisti të jenë unifikuar kaq shumë vlera sportive dhe njerëzore. Karakteri i pamposhtur, teknika e lartë, energjia e pashtershme, finesa e kalimeve, vizioni dhe forca motorike ishin disa nga tiparet e Lefter Millos që kanë ngelur të stampuara në mendjen dhe zemrat e sportdashësve. Thjeshtësia dhe sjellja e kulturuar ishin tipare që e lartësojnë edhe më shumë emrin e tij si futbollist i madh.” – shkruan Meta në Facebook.