Demokrati Alibeaj ka denoncuar mosveprimin ndaj nipit të kryebashkiakes socialiste të Rosckovecit Majlinda Bufi, pasi në makinën e bashkisë së Roskovecit që përdorej prej Majlinda Bufit, shofer i së cilës është Arbër Bufi u kap një sasi droge.
Lajmi për procedimin në gjendje të lirë ndaj Bufit, e kanë konfirmuar burime të degës së PD-së në Roskovec.
Sasia dhe lloji i lëndës narkotike të kapur nuk bëhet i ditur në njoftimin e policisë. Alibeaj ka thënë se nën drejtimin e kryeministrit Rama mund të bësh drogë me makinën e Ministrit të Brendshëm apo atë të kryebashkiakut.
“Nën drejtimin e Edi Ramës, drogën mund ta bësh me makinën e Ministrit të Brendshëm, por mund ta bësh edhe me makinën e kryetarit të Bashkisë. Mjafton të kesh garancitë e Edi Ramës se nuk do të shkarkohesh dhe droga derdhet lumë me makinat e shtetit.
Çfarë po bën Majlinda Bufi?
Kryebashkiakja ilegjitime e Bashkisë së Roskovecit akoma nuk e ka dënuar aktin e trafikut të drogës me makinën e saj nga nipi i saj. Kryebashkiakja ilegjitime e Edi Ramës nuk mohon dot atë që ka dalë në pazarin e Roskovecit me kohë. Ajo përdoret dhe u shërben disa trafikantëve të drogës, njësoj si shefi i saj në Tiranë dhe si shumë homologë në bashki të tjera të vendit.
Çfarë bën policia në këtë rast?
A e ka marrë në pyetje kryebashkiaken për trafikun e drogës nga nipi i saj me makinën e saj? Ajo që dimë deri tani, është se policia as që e ka bërë publik faktin, siç nxiton për raste të tjera, kur pushteti i Edi Ramës nuk implikohet drejtpërsëdrejti.
Çfarë bën kryeministri? A e shkarkoi ai kryebashkiaken e Roskovecit?
Pyetja është më shumë retorike. Edi Rama nuk ka shkarkuar asnjë kryebashkiak që është verifikuar me të shkuar kriminale. Ai thjesht ka heshtur që koha të mbulojë llumin me të cilin drejton vendin.” – deklaroi Alibeaj.