Në Komunën e Malishevës në Kosovë një fëmijë 2 vjeçar u raportua i humbur ditën e djeshme.
Raportimi vuri në lëvizje gjithë zonën me familjarët që kërkonin ndihmë në rrjetet sociale për gjetjen e tij si dhe forcat e policisë.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali xhaxhai i tij tha se vogëlushi ishte duke luajtur dhe më pas ka dalë nga oborri.
“Djali ka dalë mbrëmë rreth orës 19:00 nga dyert e oborrit, policia është në kërkim prej dje dhe ekipi vullnetar”, tha xhaxhai i të voglit për Gazetën Sinjali.
I pyetur nëse 2-vjeçari ka qenë me ndonjë nga familjarët në momentin kur është larguar nga shtëpia, xhaxhai i vogëlushit tha se djali ishte duke luajtur në oborr me fëmijë të tjerë, e prindërit ishin brenda shtëpisë.
“Ka dalë vetëm, janë kanë duke luajtur fëmijët në oborr dhe prindërit kanë qenë brenda”, tha më tej Nexhati.
Sipas tij, e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda pesë minutash.
“Fëmijët na kanë treguar, brenda 5 minutave, na ka thënë që djali po shkon teposhtë, na jena dalë se kena pa më”, rrëfen ai për Gazetën Sinjali.
Vogëlushi me iniciale T.K nga fshati Tërpezë u gjend ditën e sotme në gjendje të mirë shëndetësore jo shumë larg shtëpisë në mal.
2-vjeçari u gjet në mal nga një qytetar i quajtur Astrit Kryeziu. Pas gjetjes u ai çua në qendrën spitalore për të cilin Komuna e Malishevës njoftoi se gëzonte shëndet të plotë.
Me këtë rast është angazhuar edhe vetë kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli i cili publikoi edhe foton e personit që gjeti vogëlushin.
“Momenti kur heroi i sotëm, Astrit Kryeziu, gjeti Tianin e vogël në pyll. Askush nuk duhet të gjykojë prindërit. Kjo mund ti ndodhë secilit“-shkruan Pacolli.
Në një video të publikuar nga Indeksi Online shihet momenti kur është gjetur 2-vjeçari ku po nga pamjet shihet angazhimi i banorëve të zonës për të kërkuar vogëlushin.
Vogëlueshi i humbur dje kaloi gjithë mbrëmjen jashtë shtëpisë dhe familjarëve të tij ku vetëm ditën e sotme ai është rikthyer pranë tyre./Hashtag.al