Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Benny Gantz ka thënë se Hamasi, që kontrollon Gazan, mund të “përballet me goditje të rënda”.
Megjithatë, një zëdhënës i këtij grupi është zotuar se “nuk do të hezitojë të përfshihet në betejë nëse vazhdojnë sulmet e Izraelit”.
Përgjatë natës, militantët kanë nisur 12 raketa drejt Izraelit, derisa aeroplanët ushtarakë izraelitë kanë kryer tre raunde me sulme ajrore.
Prej javës së kaluar, një numër raketash janë nisur nga Gaza, bashkë me disa tullumbace me substancë shpërthyese, të cilat kanë nxitur një mori zjarresh në jug të Izraelit.
Izraeli është përgjigjur duke bombarduar ato që i ka cilësuar si shënjestra të ushtrisë së Hamasit në Gaza.
Izraeli ka ndaluar edhe anijet për peshkim nga dalja në det dhe tani është duke lejuar vetëm mallrat humanitare që të kalojnë në anën tjetër.
Pa furnizime me karburante, termocentrali në Gaza është detyruar të ndalë aktivitetin.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, një territor me 1.9 milion banorë ka mbetur pa tetë orë të furnizimit me energji elektrike.
Së fundmi disa ndërmjetësues nga Egjipti kanë marrë pjesë në bisedimet mes Gazas dhe Izraelit me qëllim të lehtësimit të tensioneve.
Analistët besojnë se Hamasi është duke tentuar t’i bëjë presion Izraelit t’i heqë bllokadat ndaj Gazas dhe të sigurojë më shumë ndihmë financiare nga Katari, transmeton BBC.
Izraeli dhe Egjipti kanë vënë ndalesa në tokë, det dhe ajër ndaj Gazas, kur Hamasi ka rikthyer fuqinë e territorit që zotëron tani më 2007, duke rrëzuar rivalët, një vit pasi ka fituar zgjedhjet.
Të dyja shtetet thonë se bllokada është aty për vetëmbrojtje.
Lëvizja Hamas konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.