Dy persona janë arrestuar në Pogradec pasi akuzohen se shtrënguan me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë një person.
Në prangat e policisë ranë shtetasit Gëzim Memelli 68-vjeç dhe Enver Shaho.
Dy të ndaluarit u arrestuan pasi ushtruan presion ndaj një 40-vjeçari me qëllim që ti jepte një deklaratë huamarrje në vlerën e 5 milionë lekëve.
Njoftimi i policisë:
Policia e Pogradecit ka arrestuar dy persona, pasi akuzohen për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Gëzim Memelli, 68 vjeç, banues në Tiranë.
Enver Shaho, 46 vjeç, banues në Pogradec.
Arrestimi i tyre u bë pasi, dyshohet se këta shtetas më datë 20.08.2020, në Pogradec, kanë ushtruar presion ndaj një 40-vjeçari, me qëllim që ky i fundit të nënshkruante me dy të lartpërmendurit një deklaratë noteriale huamarrje, me vlerë 500.000 lekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për hetime të mëtejshme.