Vendosni fjalën kyçe....

Punonjësi ndërron jetë brenda supermarketit në Brazil, stafi e mbulon me çadra


Një supermarket në Brazil ka shkaktuar zemërim pasi një punonjës që vdiq gjatë turnit të tij u mbulua me çadra, në mënyrë që biznesi të mund të qëndronte i hapur.

Punëtori, i identifikuar nga bashkëshortja e tij si Manoel Moisés Cavalcante, vdiq pasi pësoi një sulm në zemër në supermarketin Carrefour në Recife më 14 gusht.

Cavalcantes iu dha ndihma e parë, por për fat të keq nuk mundi të mbijetojë. Sidoqoftë, në vend që ta mbyllnin dyqanin, në mënyrë që trupi i tij të hiqej siç duhet, anëtarët e stafit vendosën tre çadra të mëdha dhe disa kuti rreth tij për të siguruar që trupi i tij nuk mund të shihej nga blerësit.

Klientët vijuan blerjet në supermarket duke mos dyshuar se kutitë dhe çadrat po fshihnin diçka të tillë. Fotografitë e incidentit tronditës u shpërndanë gjerësisht në mediat sociale këtë javë, ku njerëzit dënuan Carrefour për trajtimin e situatës.

Pas reagimit, Carrefour publikoi një deklaratë duke kërkuar ndjesë për mënyrën e trajtimit të situatës dhe shpjegoi se kishte vepruar sipas udhëzimeve të mjekëve të urgjencës.

“Carrefour kërkon falje për mënyrën e papërshtatshme që trajtoi ndarjen nga jeta të z. Moisés Santos, viktimë e një sulmi në zemër, në dyqanin e Recifes. Kompania bëri një gabim duke mos mbyllur dyqanin menjëherë pas asaj që ndodhi, gjithashtu nuk gjeti mënyrën e duhur për të mbrojtur trupin e Z. Santos.

Pas ndihmës së parë, ne ndoqëm udhëzimet e mjekëve për të mos e hequr trupin nga vendi.” – thuhet mes të tjerash në deklaratën e Carrefour.

Gruaja e të ndjerit e dënoi veprimin e kompanisë ndërsa foli për portalin G1, duke thënë: “Unë u zemërova. Me sa duket qeniet njerëzore nuk vlejnë asgjë. Njerëzit kujdesen vetëm për paratë.”

Pas ngjarjes së 14 gushtit, kompania ka ndryshuar protokollin e saj duke bërë që dyqani të mbyllet menjëherë në situata të ngjashme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *