Vendosni fjalën kyçe....

Bozdo: PD gati për tranzicionin e pushtetit, Komisioni i Vlerësimit me integritet moral


PD-ja po përgatitet seriozisht për tranzicionin e pushtetit, ka thënë sot anëtari i kryesisë së kësaj force politike, Eno Bozdo.

Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, ai tha ndër të tjera se forca politike ku bën pjesë e ka gati platformën e daljes nga kriza.

Bozdo tha se vendi ndodhet në një situatë shumë të vështirë shëndetësore e ekonomike për shkak të qeverisjes së keqe.

“Qeveria është tretur si kripa në ujë dhe në kohën kur pandemia është plotësisht jashtë kontrollit, ekonomia në rënie të lirë, shoqëria që vuan depresionin nga humbja e shpresës, roli i PD-së në ofrimin e zgjidhjeve dhe shpjegimin e alternativës së saj qeverisëse është i pazëvendësueshëm. Në thelb, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, PD-ja po përgatitet seriozisht për tranzicionin e pushtetit dhe ka gati platformën e saj të daljes nga kriza dhe të rindezjes së motorëve të ekonomisë së vendit. Nuk ka më asnjë as edhe një ditë kohë për të humbur. PD-ja mbart sot peshën dhe përgjegjësinë historike të ndryshimit.” – tha Bozdo.

Ai foli më tej edhe për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në PD, që sipas tij ndodh për herë të parë në Ballkan dhe është vlerësuar si tejet i rëndësishëm.

Bozdo vlerësoi anëtarët e Komisionit Vlerësues për pjekurinë, staturën politike e publike si dhe integritetin moral.

“Për këtë arsye, ky proces që ndodh për herë të parë në rrafshin politik ballkanik, është shumë i rëndësishëm. Procesi i përzgjedhjes është ndërtuar me kujdes, është statutor, plotësisht transparent dhe meritokratik. Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave është i një rëndësie shumë të madhe. Komisioni i Vlerësimit gëzon besueshmëri maksimale sepse komisioni mbi të gjitha ofron gjykim politik mbi procesin, garanci për meritokracinë si dhe transparencë në këtë proces delikat. Unë shoh që të gjithë anëtarët e nderuar të komisionit janë duke dhënë në këto çaste një kontribut jetësor për PD-së. Statura e tyre politike dhe publike, integriteti moral dhe eksperienca vetjake janë pikërisht ato që i duheshin një procesi të tillë delikat dhe të rëndësishëm.” – shtoi Bozdo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *