Dy persona janë arrestuar nga policia e Korçës, pasi u janë gjetur disa doza heroinë e disa kapsula metadoni.
Në pranga kanë rënë 31-vjeçari me iniciale H.T. dhe 18-vjeçari me iniciae K.Z., të dy banues në Maliq.
Sipas bluve, gjatë kontrollit atyre u janë gjetur në lokalin që kishin në përdorim në zonën e Pazarit të Vjetër në Korçë, u janë gjetur 73 doza e 77 gramë drogë e dyshuar heroinë dhe 30 kapsula metadoni.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, bazuar dhe në informacione të siguruara në rrugë policore se dy shtetas ushtronin aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në një lokal të qytetit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pazari”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- H. T., 31 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq.
- K. Z., 18 vjeçe, banuese në fshatin Pojan, Maliq.
Gjatë kontrollit që forcat e policisë ushtruan në lokalin në përdorim të këtyre dy shtetasve në lagjen nr. 8, në zonën e “Pazarit të Vjetër” në Korçë, iu gjetën 73 doza dhe 77 gr lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 30 kapsula metadoni dhe 1 peshore elektronike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu gjatë verifikimeve të mëtejshme, rezultoi se këta shtetas në lokalin në përdorim të tyre kishin një punonjëse të paregjistruar në skemën e sigurimeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”; “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Punësimi i paligjshëm”.