Presidenti Meta ka dekretuar 12 rektorët e rinj të universiteteve në vend të zgjedhur në votimet e 30 korrikut.
Në fjalën e tij Meta tha se zgjedhja dhe përzgjedhja e rektorëve të rinj erdhi nëpërmjet një procesi jo të lehtë, veçanërisht prej situatës së pazakonshme të pandemisë.
Kreu i shtetit theksoi se sfidat që kanë përpara rektorët e universiteteve janë të vështira por jo të pamunudura.
“Sfidat dhe vështirësitë me të cilat do të përballeni do të jenë të shumta, sidomos në këtë periudhë pandemie e cila kërkon edhe më shumë impenjim dhe strategji të veçantë për të garantuar cilësi dhe studime sa më efektive. Me marrjen e detyrës suaj, ju nxis të punoni pa u lodhur për t’i transformuar universitetet në qendra më aktive shkencore. Duhet ndalur largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë. Largimi i rinisë dhe mbyllja e shumë degëve të studimit në universitetet në mbarë vendin është një plagë shumë e madhe. Njëkohësisht tërheq vëmendjen tuaj dhe kërkoj angazhimin dhe vendosmërinë tuaj të plotë për forcimin e autoritetit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe veçanërisht autonominë e universiteteve, duke i mbajtur ato sa më larg politikës dhe ndikimeve dhe qëllimeve të saj.” – tha ndër të tjera Meta.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Koni ka deklaruar para zhvillimit të votimeve se ato ishin të paligjshme dhe se nuk mund të zhvilloheshin duke renditur argumentet e tij.
Opozita i ka kundërshtuar votimet për krerët e universiteve duke deklaruar se ata nuk do njihen dhe se qeverisja e saj do mundësojë një proces të drejtë e gjithëpërfshirës.
Sipas opozitës, votimet në universitet u organizuan nga qeveria për të kapur institucionet e arsimit duke i akuzuar kandidatët në garë si të lidhur me qeverinë.
Në votimet e 30 korrikut nuk morën pjesë pjesa dërrmuese e studentëve për shkak se mësimi në universitet nuk ka nisur ende pas ndërprerjes muaj më parë për shkak të pandemisë Covid-19.
Lista e rektorëve që u dekretuan nga Meta
Universiteti i Tiranës Prof. Artan Hoxha
Universiteti Politeknik i Tiranës Prof. Andrea MaliqariUniversiteti Bujqësor i Tiranës Prof. Fatbardh Sallaku
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” Prof. Skender Topi
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër Prof. Suzana Golemi
Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër Prof. dr Bektash Mema
Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë Prof. Dhimitër Bello
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë Prof. Roland Zisi
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës Prof. Kseanela Sotirofski
Universiteti i Arteve Prof. Kastriot Çaushi
Universiteti i Sporteve të Tiranës Agron Kasa
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë Prof. Arben Gjata