Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Numri i ulët i mjekëve në Shqipëri problem serioz, të investohet për të frenuar largimin


Presidenti Meta ka reaguar pas publikimit të lajmit mbi numrin e ulët të mjekëve për banor në Shqipëri.

Kreu i shtetit shkruan se raporti i OBSH-së tregon për një situatë kritike në vend e një problem serioz të sistemit shëndetësor.

Ai thekson se për çështjen në fjalë duhet një zgjidhje e shpejtë duke bërë thirrje për investime në këtë drejtim.

“Numri tepër i ulët i mjekëve për banor në Shqipëri është një problem shumë serioz i sistemit tonë shëndetësor. OBSH evidenton shumë qartë këtë situatë kritike në raportet e saj. Shqipëria paraqet numrin më të ulët të mjekëve për banorë se sa shumë vende të Ballkanit dhe kjo është e papranueshme. Shëndeti, si e mirë themelore e shqiptarëve duhet rivlerësuar nga qeveria, opozita dhe shoqëria civile dhe kërkon një zgjidhje të shpejtë të problemit të mjekëve, të cilët përbëjnë zemrën e sistemit shëndetësor. Të mos hezitohet në asnjë çast për të bërë çdo investim që duhet nga financat publike për të zgjidhur këtë problem kardinal.” – shkruan Meta.

Në fund presidenti thekson se prova që po kalon vendi lidhur me pandeminë Covid-19 janë një sfidë për sistemin shëndetësor duke bërë thirrje që të ndalohej largimi i personelit mjekësor jashtë vendit.

“Situatat që po kalon vendi lidhur me pandeminë COVID-19, janë provë shumë e qartë se pa një sistem shëndetësor plotësisht efiçient dhe të plotësuar me mjekë, shëndeti i qytetarëve do të jetë i rrezikuar. Sfidat e shëndetit publik janë në rritje ndaj duhen politika më largpamëse, jo vetëm për të frenuar largimin, por për të rritur, motivuar dhe fuqizuar personelin shëndetësor.” – mbyll reagimin Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *