Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’ia vazhdojnë mandatin Gjykatës Speciale të Hagës.
Thaçi ka thënë se kjo bindje e tij do të vazhdojë derisa të njoftohet për përfundimin e mandatit nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Kosovës.
“Politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi dhe as drejtësia në politikë. Kjo ishte bindja ime në çdo hap të mbështetjes për krijimin e gjykatave ndërkombëtare dhe paneleve speciale në këto njëzet vitet e fundit. Kjo vazhdon të jetë bindja ime edhe tash kur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës po kërkoj që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kemi nevojë për qartësi sa i përket mënyrës sesi mbyllen Dhomat e Specializuara, prandaj besoj se deputetët do ta përkrahin këtë iniciativë timen”- është shprehur Thaçi.
Më tej, presidenti tha se Kosova po përballet prej 20 vjetësh pas çlirimit me gjykata që po e gjykojnë luftën e UÇK-së, ndërsa Gjykata Speciale është gjykata e pestë me radhë.
“E dimë se në këto 20 vjet pas çlirimit, Kosovës nuk i kanë munguar gjykatat për gjykimin e luftës së fundit në Kosovë. Gjykata Speciale është gjykata e pestë e themeluar për këtë çështje”-tha Thaçi.