Një grua është mbytur në plazhin e Durrësit. Sipas policisë, viktima është 60-vjeçarja me iniciale K.K. nga Elbasani e cila dyshohet se është mbytur duke u larë në det te Shkëmbi i Kavajës.
Që prej çeljes së sezonit turistik, në vend janë shënuar disa persona të mbytur ndërsa duhet thënë senjë problematikë e tillë vijon prej vitesh në vend.
Në pjesën dërrmuese të plazheve mungojnë rojet pavarësisht nismës së prezantuar nga qeveria para pak vitesh për hapjen e një kursi për rojet në plazhe.
Asokohe madje u shfaq edhe ceremonia e diplomimit të disa rojeve të cilët duhet të nisnin punën në plazhet e ndryshme të vendit.
Ministri i Mjedisit deklaronte në vitin 2018 në një emision televiziv se asnjë plazh në vend nuk do lejohej të funksiononte në vend nëse nuk do kishte ekipin e trajnuar për ndihmën e shpejtë.
“Në çdo plazh të vendit, në çdo zonë bregdetare janë krijuar ekipet e trajnimit, dhe është futur licensimi. Asnjë plazh nuk do të lejohet të funksionojë në vitin 2018-të nëqoftëse nuk ka personin e trajnuar për ndihmën e shpejtë, i veshur ashtu siç duhet dhe me mjetet e nevojshme.” – deklaronte asokohe Klosi.
Njoftimi
“Më datë 25.08.2020, rreth orës 09:45, në lagjen nr.13, Shkëmbi i Kavajës, shtetësja K.K.,60 vjeçe, banuese në Elbasan, dyshohet se është mbytur duke u larë në det, e për pasojë ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.”
Mbytjet në vend
24 gusht – 70 vjeçari në Vlorë
19 gusht – 65 vjeçari në Durrës
15 gusht – 17 vjeçarja në Velipojë
15 gusht – 30 vjeçari në Durrës
3 gusht – 68 vjeçari në Vlorë
26 korrik – 12-vjeçari në Tale, Lezhë
19 korrik – 75 vjeçari në Vlorë
15 korrik – 71 vjeçarja në Shëngjin
7 korrik – 60 vjeçarja në Durrës
3 korrik – 73 vjeçari në Durrës