Vendosni fjalën kyçe....

Skandali i ambasadores Yuri Kim dhe “skuthat” e opozitës


Alias-Autor: Johannes Estrada

Pushimet e Ambasadores Amerikane në rezortin e Zamir Manes në Palasë janë vërtetë një skandal. Por janë gjithashtu dhe një rast për të vlerësuar edhe disa probleme me mënyrën si reagon shoqëria shqiptare ndaj problemeve politike dhe si krijon alternativën për ndryshim.

Së pari, po, është skandal që ambasadorja amerikane pushon në rezortin e oligarkut kryesor të vendit! Rezorti në fjalë dyshohet se është ndërtuar mbi troje të grabitura, e lejuar dhe mbështetur nga qeveri të njëpasnjëshme. Ambasada amerikane, pasi u premtoi shqiptarëve qiellin dhe hënën me reformën në drejtësi, i duhet të mbante, të paktën moralisht, një distancë publike ndaj pasurive të atyre që reforma duhet të prekte.

Së dyti, jemi ne si shoqëri që kemi gabuar vazhdimisht duke i mbajtur ambasadorët si busulla morale e vendit. Ambasadorët nuk na detyrohen asgjë, nuk përgjigjen para nesh, dhe nuk kanë qëllim apo detyrë të zgjidhin hallet e vendit tonë. Edhe sikur të duan, nuk kanë asnjë pushtet ta bëjnë. Ngjarje si kjo e sotmja duhet të na ngulisin përfundimisht në mendjet tona se zgjidhjet e Shqipërisë do i prodhojnë shqiptarët, jo ata që nuk ndikohen nga problemet e vendit. Për të mirën tonë të përbashkët, pritshmëria ndaj ambasadave dhe qeverive të huaja duhet të marrë fund njëherë e mirë.

Së treti, dhe mbase më e rëndësishmja, është për të qeshur dhe për të qarë niveli i opozitës që fshihet pas statuseve dhe postimeve të një memexhiu. Problemi i oligarkëve të vendit është i ditur prej kohësh. Po ashtu njihen dhe pasuritë e tyre. Prej vitesh opozita zyrtare jo vetëm që nuk ka ndonjë denoncim konkret ndaj tyre, por nuk guxon as të përmendë emrin e oligarkut kreysorë të vendit. Ndërkohë që duhet të prodhojë qëndrime dhe politika të qarta ndaj oligarkëve, ndërkohë që duhet të ketë një vizion të qartë se si konkurenca dhe tregu i lirë janë armiqtë e oligarkisë, opozita mjaftohet me postimet e disa fotove në rrjet dhe kthimin e gjithë historisë në një meme të rradhës. Kaq di, kaq bën, dhe kjo është vërtetë fatkeqësi për të ardhmen politike të një vendi!

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *