Lulzim Basha ka premtuar rroga 1200 euro për mjekët e 700 euro për infermierët në Shqipëri.
Kreu i PD-së tha sot se personeli mjekësor në vend ka nevoë për mbështetjet e mbrojtje, sidomos në kohë pandemie duke vërejtur se rritja e pagave për ta është jetike por duhet të jetë reale.
Kryedemokrati tha se kjo është e pamundur për sa kohë vendi ka një qeveri që i çon paratë e taksapaguesve te koncesionet korruptive.
“Mjekët dhe infermierët tanë kanë nevojë për mbështetje dhe mbrojtje të veçantë nga shteti për shërbimin kolosal që i kanë bërë vendit, në veçanti në këto kohë pandemie. Rritja e pagave të tyre është jetike por ajo duhet të jetë reale dhe jo elektorale. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për ti trajtuar me dinjitet personelin shëndetësor. Por kjo është e pamundur sa kohë që kemi një qeveri që i çon paratë e taksave të shqiptarëve tek koncesionet korruptive, dhe shpenzimet për shëndetin publik janë më të ulëtat në rajon.” – shkruan Basha.
Ai u zotua se do i anulojë koncesionet korruptive dhe se paratë do përdoren për të rritur pagat e personelit mjekësor dhe krijimin e kushteve më të mira për t’u shërbyer qytetarëve.
Basha i bëri thirrje qeverisë që t’u japë pa humbur kohë shpërblimin e premtuar prej 1000 eurosh mjeëve e infermierëve që përballen me pandeminë Covid-19 në vijën e parë të saj.
“Ne do t’i anullojmë koncesionet korruptive dhe paratë do të përdoren për mbështetje reale për mjekët dhe infermierët, me rritje pagash, me pajisje dhe kushte më të mira për tju shërbyer qytetarëve. Me planin tonë ne do të mundësojmë ndryshimin e madh në shëndetësi me paga dinjitoze të niveleve rajonale për ta: 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Kjo qeveri është treguar mosmirënjohëse me mjekët dhe infermierët edhe gjatë pandemisë. Pa asnjë vonesë tjetër, qeveria Rama duhet t’u japë atyre shpërblimin e premtuar prej 1000 euro. Stafet mjekësore janë profesioni më jetik i vendit. Atyre ju detyrohemi vepra dhe jo premtime te pambajtuara.” – mbyll reagimin Basha.