Turqia është e vendosur të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të marrë të drejtat e saj në Detin e Zi, Egje dhe Mesdhe, tha presidenti Erdogan të mërkurën.
“Ne nuk do të bëjmë kompromis me atë që është e jona. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për këtë.” tha Erdogan, sipas Reuters.
Sipas Daily Sabah, presidenti lëshoi një paraajmërim ndaj Greqisë teksa fliste në një veprimtari kushtuar një fitoreje ushtarake nga ana e turqve selçuke ndaj Perandorisë Bizantine në shekullin e 11-të në Malazgirt.
“Nëse Greqia dëshiron të paguajë një çmim, le të vijë e të përballet me ne. Nëse nuk e ka guximin për këtë, duhet të qëndrojë larg nga rruga jonë. “
Ai shtoi se Greqia është e padenjë për trashëgiminë bizantine dhe sot kryen padrejtësi e lëvizje prej pirati në Mesdhe duke u mbështetur te ndihma e vendeve europiane.
“Ata janë të padenjë për trashëgiminë bizantine. Sot kryejnë padrejtësi dhe lëvizje prej pirati duke llogaritur mbështetjen e evropianëve, gjë që tregon se ata nuk kanë arritur të mësojnë nga historia.” – shtoi Erdogan.
Komentet pasojnë zbulimin më të madh të gazit natyror të Turqisë në Detin e Zi dhe konfliktin e vazhdueshëm në Mesdheun Lindor me Greqinë.