Vendosni fjalën kyçe....

Hyn në fuqi ligji i pandemisë në Kosovë, gjobat e ndëshkimet që parashikohen


Sot ka hyrë në fuqi Ligji për Pandeminë në Kosovës. Ai është botuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikon detyrimet e ndëshkimet lidhur me kufizimet e vendosura nga qeveria.

Sipas ligjit, personat që nuk respektojnë sigurimine kushteve dhe mbajtjes së distancës në hapësirat ku janë përgjegjës do gjobiten me 500 euro.

Ndërsa personat që shkelin kufizimin e qarkullimit me mjete apo si këmbësorë në orarin e caktuar, do gjobiten me 200 euro, shkruan Lajmi.net që zbardh ligjin.

“Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.”­ –thuhet në ligj.

Me nga 35 euro gjobë do të dënohen edhe ata persona që nuk mbajnë maska, apo nuk respektojnë distancën fizike.

“Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro. Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro”. – vijon ligji.

Për sa u përket personave që kryejnë apo organizojnë veprimtari sipas Organit Kompetent, gjobitet me 2000 euro.

“Personi fizik i cili organizon aktivitete publike dhe jopublike të ndaluara me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro dhe ndalimin e aktivitetit. Hyrja e personave fizik të paautorizuar në ambientet e veçanta përfshirë por pa u kufizuar në: objektet e izolimit apo karantinimit publik, privat, hapësirat shëndetësore, ku është e ndaluar hyrja/dalja pa vendim të veçantë, dënohet me gjobë prej njëqind (100) euro.” – thuhet më tutje.

Po kështu gjoba janë parashikuar edhe për personat që shkelin karantinën.

“Personi i cili ka obligim të izolohet apo karantinohet për afatin e përcaktuar kohor nga organi kompetent si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19 dhe nuk i zbaton urdhrat e dhënë nga organet kompetente dënohet me gjobë: 1.1. Personi i vendosur në izolim apo karantinë sipas vendimit të organit kompetent i cili nuk i zbaton rregullat e përcaktuara gjatë kohës së qëndrimit në izolim/karantinë apo tenton të largohet nga izolimi/karantina dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si dhe rikthimin në izolim apo karantinim; 1.2. Personi i cili hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro”.

Personi i cili vjen nga zona karantinë dhe nuk zbaton vendimin nga organi kompetent për izolim apo karantinim të detyrueshëm dënohet me gjobë prej 150 euro, ndërsa, personi i cili del nga izolimi ose zona e karantinës e përcaktuar me vendim të organit kompetent, pa leje përkatëse dënohet me gjobë prej 150 euro.

Me nga 500 euro ndërkaq do të dënohen të gjithë ata persona që në mënyrë legale hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk e deklarojnë vendin e origjinës nga vijnë.

“Personi i cili hyn në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë legale dhe nuk deklaron vendin e origjinës prej nga vjen si dhe nuk vepron sipas udhëzimeve të organeve kompetente ose refuzon ti nënshtrohet masave të kontrollit të detyrueshëm mjekësor dhe izolimit apo karantinimit dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro. 2. Personi i cili ka hy në mënyrë ilegale në territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk deklarohet si dhe nuk iu nënshtrohet masave të detyruara të kontrollit mjekësor dhe izolimit apo karantinimit të obligueshëm dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si masë shtesë përpos masave ligjore për kalim ilegal të kufirit të paraparë me legjislacionin në fuqi.” – thuhet në këtë ligj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *