Vendosni fjalën kyçe....

Kush po e nxit debatin tangent mbi shpopullimin e Shqipërisë?


Ditët e fundit në media është rikthyer një debat që në thelb ka të bëjë me shpopullimin e Shqipërisë sipas raporteve të disa institucioneve e mediave ndërkombëtare.

Raporti më i fundit është ai i revistës ‘The Economist’, sipas së cilës popullsia e Shqipërisë po tkurrej me ritme të larta duke bërë një projeksion sipas të cilit në vitin 2100, vendi do kishte vetëm 860 mijë banorë.

Si në çdo debat janë të paktën dy palë që përfshihen.

Ndërsa një pjesë e sheh shpopullimin e Shqipërisë dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare kryesisht si një tendencë të kahershme të shqiptarëve 30 vitet e fundit, ana tjetër e lidh atë në thelb me keqqeverisjen e vendit sidomos në 7 vitet e fundit. Secila palë sjell argumentet lidhur me qëndrimin që mban.

Më konkretisht, gazetari Skënder Minxhozi e sheh ikjen e shqiptarëve si një dukuri që shtrihet në kohë dhe që lidhet me lëvizje të ngjashme në një pjesë të mira vendesh të Ballkanit e Europës lindore.

Ai shkruan se është hipokrizi që të habiten me hemorragjinë e largimit të popullsisë, kryeministra, deputetë e ministra që e kanë qeverisur vendin në 30 vitet e fundit dhe kanë përgjegjësinë e tyre për këtë dukuri me pasoja për vendin.

Gazetari Alfred Lela i kundërvihet qëndrimit të Minxhozit duke replikuar me të. Ai e sjell ‘eksodin’ më shumë tek rrafshi i shifrave e statistikave, që sipas tij nuk duhen marrë asnjëherë ashtu siç janë për shumë arsye duke sjellë disa shembuj.

Lela shkruan në replikën e tij se statistikat që përdoren si nga Minxhozi në shkrimin e tij, si nga ‘The Economist’ apo institucione të tjera janë të paplota dhe nuk e japin dot të plotë gjithë panoramën e emigrimit të shqiptarëve e qytetarëve të vendeve të tjera.

Këtij debati i është bashkuar gazetar Andi Bushati. Ai e quan debatin mbi shpopullimin e Shqipërisë meskin e sipërfaqësor debatin që është shpërfaqur në mesdia ditët e fundit. Bushati i ndan në dy kategori ata që përfshihen në këtë debat në kundërshtërët e kryeministrit Rama dhe në mbështetësit e tij.

Ndryshe nga Lela, që e vë theksin te saktësia e raporteve ndërkombëtare ai e vë theksin tek keqqeverisja, mungesa e sistemit të drejtësisë dhe shpresës largimin e shqiptarëve. Por sjell si argumente edhe një proces ballkanik e global të emigrimit masiv.

Sipas Bushatit, mungesa e mirëqenies e kombinuar me shkelmimin e meritokracisë, sistemit të keq shëndetësor, pasigurisë për jetën e arsimimit të shtrenjtë duke shtuar proceset që ndodhin në ish-republikat sovjetike janë një pjesë e arsyeve që kanë të bëjnë me procesin.

Vlen të theksohet se lidhur me shpopullimin e vendit, kanë reaguar së fundmi edhe presidenti Meta e kreu i PD-së, Basha, që kanë bërë thirrje për frenim të largimit të shqiptarëve nga vendi.

Po kush e nxit këtë debat? Pse tani mbi shpopullimin e vendit? Mund të jenë më shumë se tre arsye…

Debatet për shpopullimin e vendit nuk janë të reja në tregun mediatik ashtu siç nuk janë edhe raportet e institucioneve a organizatave ndërkombëtare që japin parashikimet e tyre mbi lëvizjet e popullsisë, jo vetëm në Shqipëri por në Ballkan, Europë Lindore, Afrikë e Azi.

Nuk kanë qenë të pakta herët kur ato kanë dalë në sipërfaqe në periudha kriza të ndryshme politike ose për të tërhequr vëmendjen nga skandale të natyrave të ndryshme.

Periudhat parazgjedhore janë një tjetër kohë e parapëlqyer për të nxitur debate të natyrave të ndryshme, shpeshherë pa asnjë rëndësi thelbësore, edhe pse në rastin e shpopullimit nuk mund të thuhet se është rasti duke qenë se bëhet fjalë për një çështje delikate.

Në shumicën e rasteve vërehet se nismëtarët e debatit mbrojnë një çështje a qëndrim të caktuar të qeverisë, për të provokuar më pas reagimin e palës tjetër e që çon në një largim të vëmendjes për çështje a skandale me rëndësi për njëfarë kohe.

Rastet për këtë janë të shumta dhe debati i fundit mbi shpopullimin nuk bën përjashtim duke qenë se bëhet fjalë për një çështje tejet të ndërlikuar e me shumë faktorë në lojë e ku debati mediatik pak rol ka në ndryshimin e trajektores së problemit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *