Vendosni fjalën kyçe....

Info-analizë: Pika nevralgjike e kufirit detar me Greqinë


Nga Klaudio Agolli

Rajoni i Mesdheut është një basen në të cilin shumë shtete ndajnë kufijtë e tyre detare me fqinjët e tyre dhe delimitimi i detit territorial dhe zonave ekskluzive ekonomike gjithmonë janë çështje që ngjallin debat në opinionin publik për shkak edhe të ndjeshmërisë që kanë.

Një deklaratë e Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në parlamentin e vendit të tij mbi zgjerimin e ujërave territoriale greke në Detin Jon me 12 milje amplifikoi në vendin tonë një debat të gjerë, se kjo do cenojë ujërat tona territoriale.

Lidhur me këto deklarata lind nevoja një sqarim me njohjen e ndarjes së detit territorial, dhe zonave ekskluzive ekonomike, çfarë janë ato dhe si delimitohen.

Edhe pse parimet për ndarjen e tyre të shkruara në letra po të dakordësuara në Konventa dhe ligje ndërkombëtare përsëri  ka lipsur që shtete të ndryshme të kenë të vështirë të bien dakord për delimitimin e kufijve detarë.

Deti territorial dhe zgjerimi 12 milje

Sipas ligjit ndërkombëtar UNCLOS të njohur si konventa e Montego Bay e viti 1982, në nenin tre thuhet se “çdo shtet ka të drejtë të zgjerojë hapësirën e tij territoriale në det jo më shumë se 12 milje detare matur kjo nga vija e drejtë bazë, ose vija natyrale e ujit”.

Lidhur me këtë si Shqipëria dhe Greqia janë pjesë nënshkruese e kësaj konvente. Vendi ynë ka depozituar në OKB gjerësinë prej 12 miljesh detare me Dekretin nr.7366, të datës 9 mars 1990 dhe është në fuqi edhe sot. Ndërsa shteti fqinj ka ratifikuar Konventën e Montego Bay më 1 qershor 1994 e cila i jepte mundësi që t’i njihte vetes zgjerimin e detit territorial nga 6 milje sa e kishte më parë në 12 milje. Për këtë, Greqia duhet që ta ndryshojë me ligj të brendshëm siç edhe dje lajmëroi kryeministri Mitsotakis.

Kjo është një e drejtë e shtetit fqinj për të zgjeruar detin territorial në Detin Jon ndërsa përplasjet që mund të kenë me Shqipërinë në Kanalin e Korfuzit kjo problematikë është e parashikuar nga Konventa dhe vendimi i Greqisë nuk prek detin territorial shqiptar në Kanalin e Korfuzit.

Kjo pasi që, distanca mes brigjeve të dy vendeve është vetëm 1.2 milje detare. Në këtë rast mënyra për ndarjen e detit territorial bëhen në bazë të “baraslargësisë” që nga vija e drejtë bazë ose vija natyrale e ujit. Ku 0.6 milje i takojnë Shqipërisë dhe 0.6 milje Greqisë.

Marrja e pikënisjes nga Ishulli i Korfuzit dhe jo nga ishulli i Othonoit për ndarjen e detit territorial nuk cenon hapësirën tonë detare.

Në hartën më sipër me vijë ngjyrë violë harta tregon se deti territorial grek është ndarë nga ishulli Othonoit çka dukshëm shihet që në veri të Korfuzit sovraniteti grek mbi ujërat e Detit Jon zgjerohet.

Por çfarë është zona ekskluzive ekonomike (ZEE)?

Koncepti i ZEE u miratua në 1982 në Konferencën e Tretë të Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit. Ai përcakton që një shtet sovran ushtron të drejta të veçanta në lidhje me eksplorimin dhe përdorimin e burimeve detare, përfshirë mjetet alternative të prodhimit të energjisë, nga uji dhe era.

Zona e EEZ shtrihet përtej ujërave territoriale të kombit dhe deri në 200 milje detare nga vija e saj bregdetare, ndërsa juridiksioni i shtetit bregdetar ka të bëjë me detin dhe ujërat nën sipërfaqen e detit, me këto të fundit zyrtarisht që janë nën juridiksionin ndërkombëtar.

Sa i përket ujërave territoriale dhe shelfit kontinental të shteteve të ndryshme, nëse ZEE-të e dy vendeve mbivendosen dhe ndërveprojnë, u takon shteteve fqinje të përcaktojnë bashkërisht kufijtë e tyre të saktë detarë.

Por ku duhet të ketë kujdes Shqipëria me zgjerimin 12 milje të ujërave territoriale nga Greqia në Detin Jon?!

Pika fokale ku Shqipëria mund të humbë territor në det dhe kjo më shumë për sa i përket Zonës Ekskluzive Ekonomike është nëse matja e detit territorial në veri të Korfuzit nuk fillon në vijën e drejtë bazë të ishullit të Korfuzit por në vijën e drejtë ujore nga ishulli i Othonoit ose ishullit Erikousa.

Nëse matja e ndarjes së ujërave territoriale në Detin Jon do bëhej nga këta ishuj atëherë për Shqipërinë do ngushtohej harta e Zonës Ekskluzive Ekonomike dhe do e bënte më të vështirë arritjen e një marrëveshje për ndarjen e tyre për shkak edhe të rëndësisë ekonomike që këto zona kanë.

Matja e zonës ekskluzive ekonomike ku pikënisje do ishte ishulli i Othonoit do sillte vërtetë një problematikë për Shqipërinë pasi kjo do ngushtonte zonën tonë duke filluar që matja do bëhej nga brigjet e Himarës ku gjatësia 200 milje do binte ndesh me 200 miljet greke nga ishulli i Othonoit dhe ndarja me parimin e “baraslargësisë” do ishte në dëm të Shqipërisë. 

Zona e detit Jon mbi ishullin e Korfuzit apo përballë me brigjet shqiptare të Sarandës përkon edhe me Bllokun 1 apo Jonin 1 i cili mendohet se ka rezerva të mëdha të naftës dhe gazit natyror.

Shkak për prishjen e marrëveshjes së vitit 2009 mes dy qeverive të asaj kohe nga ana e Gjykatës Kushtetuese ishte mënyra e ndarjes nga ishulli i Othonoit.

Një pranim i tillë për më tepër edhe me shtimin në 12 milje në një marrëveshje të re do përbënte një dëm kolosal për vendin tonë.

Edhe pse Greqisë i lind e drejta për të zgjeruar ujërat territoriale në Detin Jon mbi parimin 12 milje nautike përsëri ushtrimi i sovranitetit në këto ujëra me patjetër duhet të merrte miratimin me marrëveshje me Shqipërinë në rastet kur këto distanca në rast se maten si pikë fillestare nga ishulli i Othonoit për zonën përballë brigjeve të Himarës. I vetmi rast kur ky vendim nuk cenon asnjë sipërfaqe detare është në Kanalin e Korfuzit pasi hapësira e vogël me brigjet e vendosura përballë është shumë herë më e vogël se kjo distancë.

Një ushtrim i sovranitetit nga ana greke mbi ujërat e Jonit në mënyrë të veçantë me këtë vendim do bënte vërtetë një rast për tensione mes dy vendeve dhe kthente basenin e Jonit në të njëjtën situatë me atë të Mesdheut Lindor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *