Teksa në Wuhan të Kinës sapo ishte shfaqur koronavirusi i ri, mediat në vendin aziatik shfaqnin pamje të qyterarëve që rrëzoheshin befas në rrugë duke ecur.
Pamjet u bënë virale dhe pjesa dërrmuese e mediave botërore i shfaqën duke krijuar një efekt habie e paniku lidhur me situatën që po ndodhte në Kinë e sëmundjen misterioze.
Ishte koha kur koronavirusi nuk ishte shpallur ende pandemi dhe ishte zyrtarisht brenda territorit kinez. Rritja e rasteve zyrtare në Kinë çoi në vendosjen në karantinë të Wuhan-it e më pas të provinës Hubei.
Pak javë më vonë, rastet e para të Covid-19 u shfaqën në vende fqinje me Kinën e më pas u shpërndanë në mbarë kontinentin aziatik, në Europë e dy Amerikat.
Numri i të prekurve në botë u rrit me ritme të shpejta, sidomos në Itali që zyrtarisht ishte ndër vendet e para që u godit nga Covid-19 në Europë.
Autoritetet italiane raportonin qindra vdekje në ditë, duke vendosur më pas një karantinë të rreptë në provincat me më shumë probleme si Lombardia e Piemonte.
Rritje të numrit të të prekurve raportuan në vijim të gjitha vendet europiane, SHBA-ja, vendet aziatike e ato të Amerikës së Jugut.
Megjithatë diçka nuk është parë ende në botë. Rrëzimi i njerëzve befas teksa ecin në rrugë dhe vdekja e tyre e menjëhershme. Pamje të cilat u shfaqën në Kinë në ditët e para pas shfaqjes së Covid-19.