Pandemia me COVID-19 ka detyruar njerëzit pothuajse në shumicën e vendeve të botës që të mbajnë maska dhe distancën sociale, kështu që sot, gjiganti teknologjik LG ka njoftuar se do të sjellë një lloj maske të re për fytyrë si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.
Zyrtarisht, maska e re e LG-së quhet “PuriCare Wearable Air Purifier” dhe funksioni i saj kryesor është se e filtron ajrin ndërsa përdoruesi është duke e mbajtur, shkruan “neowin”.
Kjo maskë e re përdor dy filtra H13 HEPA, të cilët janë të ngjashëm me filtrat që LG përdor për pastruesit e ajrit në shtëpi. Këta filtra mund të zëvendësohen kurdo që është e nevojshme. Po ashtu, maska e re ka dy ventilatorë të vendosur në pjesën e brendshme dhe shpejtësia e tyre mund të rregullohet mes tri niveleve në mënyrë që frymëmarrja të jetë më e natyrshme.
Marrë parasysh se maska e re është një pajisje elektrike, kuptohet se duhet të karikohet dhe LG thotë se bateria mund të qëndrojë deri në dy orë në opsionin më të lartë dhe deri në tetë orë në opsionin më të ulët, duke iu referuar shpejtësisë së ventilatorëve.
“LG PuriCare Wearable Air Purifier” vjen me mbushës dhe me një dritë ultraviolet në kornizën e mbushësit e cila vret mikrobet e dëmshme që mund të jenë ngjitur në maskë, përcjell Koha.net. Po ashtu, mbushësi mund të detektojë se kur duhet zëvendësuar filtrat brenda maskës dhe këtë përdoruesit mund ta kuptojnë përmes aplikacionit LG ThinQ për telefona të mençur.
Maska e re e LG-së pritet të prezantohet në ngjarjen virtuale “IFA 2020” dhe planifikohet që të lansohet në tremujorin e katërt të këtij viti. Sa i përket çmimit, ende nuk dihet se sa do të kushtojë.