Një 37-vjeçar i dënuar me parë për dezertim nga shërbimi ushtarak është arrestuar nga policia në Tiranë.
Fatmir Demiri akuzohet për vrasjen e fqinjit të tij 61-vjeçar, Dorian Latollari. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Haxhi Hysen Dalliu në kryeqytet.
Sipas policisë, autori i dyshuar e ka pranuar krimin teksa ka thënë se e ka goditur viktimën me sende të forta pas disa konflikteve për pronën.
Njoftimi
“Ndalohet një 37-vjeçar, për veprën penale “Vrasja”. 37-vjeçari i dënuar më parë për Dezertim nga shërbimi Ushtarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, me marrjen e njoftimit se në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, në oborrin e banesës shtetasi D.L., 61 vjeç, ishte gjetur pa shenja jete, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune të mirorganizuar dhe hetimeve instensive bënë të mundur zbulimin e ngjarjes, dhe kapjen e autorit të dyshuar shtetasin F.D., 37 vjeç, banues në Tiranë.
37-vjeçari e ka pranuar autorsinë dhe është shprehur se për disa konflikte të meparshme, dyshohet për konflikte pronësie, me vetëpërgjegjësi ka goditur me sende të forta duke i shkaktuar vdekjen shtetasit D.L.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.”