Vendosni fjalën kyçe....

Diplomacia e Ramës, si një autogol i përsëritur


Nga Arbër Zaimi

  1. Mbështetje fshehurazi Vuçiqit, nxitje shqiptarëve në Luginë që me pjesëmarrje sa më të madhe të legjitimojnë zgjedhjet e bojkotuara nga opozita, kinse për të kapur tre deputetë nga 250 që i ka parlamenti serb.
  2. Mbështetje haptazi Gjukanoviqit, gjë që ndihmon për mobilizim opozitën pro-Vuçiq në Mal të Zi. Kinse për të ndihmuar komunitetin shqiptar të marrë 2 deputetë.
  3. Ndërsa në Maqedoni, ku shqiptarët morën më shumë se 30 deputetë, dhe kanë mundësi për më shumë, Rama nuk pati angazhim publik. Si shpjegohet që angazhohet shumë aty ku merren 2 apo 3 deputetë, por nuk e bën asnjë përpjekje reale aty ku mund të merren 40? Me sa duket opsioni pro-Vuçiq në Maqedoni ishte bërë i pandihmueshëm publikisht?
  4. Me idenë për “mini-shejtangenin” që doli “nga Tirana” jo vetëm që ndihmoi në normalizimin e ideve konstante serbe për unifikim të Ballkanit Perëndimor nën hegjemoninë e Beogradit (Jugosllavi me emër të ri), por ndihmoi edhe në normalizimin e Vuçiqit, si burrë shteti i pranueshëm për shqiptarët (kujtoni fotot e Vuçiqit “bamirës” duke ledhatuar fëmijët durrsakë lënë pastrehë nga tërmeti). Sa mund të pijë ujë deklarata e tij qyqare se “bota po mbështet agresorin që pozon si viktimë, dhe po e dënon viktimën si të ishte agresore”, kur kjo deklaratë erdhi vetëm pas publikimit të aktakuzave të përgatitura nga prokuroria speciale për Thaçin? Kur “agresori që pozon si viktimë” deri dje është pritur me të gjitha nderimet në Tiranë, Durrës dhe gjithë Shqipërinë?
  5. Kur në Greqi ishte në pushtet e majta e Ciprasit (partia më pak nacionaliste midis spektrit që ka qeverisur Greqinë), me a pa plan, iu mbyll dera e diplomacisë shqiptare. A tash kur në Greqi është në pushtet e djathta e Micotaqisit, angazhohen prej Ramës e deri te byrokratët e vegjël të ministrisë së jashtme, që të na bindin se Greqia ka të drejtën e vet të zgjerohet deri në 12 milje detare, dhe ne s’kemi pse shqetësohemi. Si duket, sipas diplomacisë Rama, mendohet që e djathta greke është më pak nacionaliste se e majta…? Ndërkohë pala greke deklaron hapur se zgjerimi në detin Jon ndodh prej ishullit Antiqithera në jug e deri në ishullin e Otonit në veri. Nëse vërtet Otoni po konsiderohet si pika prej nga Greqia zgjerohet 12 milje në Jonin verior, atëherë jo vetëm që i themi lamtumirë pretendimeve shqiptare për ZEE në Jon, por Greqia do të ketë akses edhe në kanalin e Otrantos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *