Modelja me famë botërore, Emina Çunmulaj, ka udhëtuar enkas për në Malin e Zi për të votuar në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen ditën e sotme atje.
Në një deklaratë për mediat ajo u shpreh e krenare që ka të drejtë për të votuar si shqiptare në Malin e Zi.
Ajo bëri thirrje që të gjithë shqiptarët në Malin e Zi të votojnë për këto zgjedhje.
“Mburrem që kam të drejtë me votuar si shqiptare në Mal të Zi. Mburrem që jam shqiptare prej Malit të Zi, kështu që dua të mburren edhe të gjithë shqiptarët e Malit të Zi. Të bashkohemi me njëri-tjetrin, se pa njëri-tjetrin nuk mundemi kurrsesi. Më kujtohet që kur isha fëmijë, ecja 2 orë në këmbë për të shkuar, librat i blinim vetë. Sot nuk është e lehtë të fitohet leku, pandemia, katastrofa nëpër botë. Ne jemi vend i vogël dhe popull i vogël, duhet të ngrihemi për njëri-tjetrin. Ne i themi njëri-tjetrit ‘mirëmëngjes’.
Mos harroni se gjaku nuk është ujë. Shqiptarët duhet të ngrihen, se fëmijët e tyre nuk do të flasin shqip. Unë jam rritur në këto troje, vend më të bukur se Ulqinin nuk kam, vij këtu, sepse flitet shqip. Kam qejf kur hyj në doganë dhe flas shqip. Kjo është dicka që s’mund me ta heq kush prej shpirtit. Vajzat e mia nuk e kanë babain shqiptar, por ju flas shqip. Nuk mundemi të harrojmë nga vijmë, të shëtisim në gjithë botën, prapë shqip duhet të flasim. Duhet të votojmë për gjuhën tonë”-tha Çunmulaj.