Organizimi i vitit shkollor në siguri të plotë në Itali përballë rrezikut të kontaminimit me koronavirus është prioritet i qeverisë italiane, deklaroi sot kryeministri, Giuseppe Conte.
“Rihapja e shkollave në siguri të plotë (…) është prioriteti ynë sot”, theksoi Conte në Twitter.
Pas më shumë se gjashtë muaj mbyllje për shkak të pandemisë, që ka goditur fort vendin, shkollat italiane do të rihapin portat më 14 shtator, sipas kalendarit zyrtar.
Pavarësisht masave të premtuara nga autoritetet, ky rikthim zhvillohet nën tension dhe në një klimë pasigurie tek prindërit e nxënësve ashtu dhe në botën e arsimit, ndërkohë që vendi është përballur këto javët e fundit me një rishfaqje të kontaminimeve, veçanërisht mes të rinjve.
Në pritje të rikthimit në shkolla të rreth 8,3 milionë nxënësve, shteti dhe rajonet kanë bërë publik më 26 gusht, në një dokument të Institutit të Lartë Shëndetësor një sërë rregullash dhe masash si distancimi i detyrueshëm, blerja e 2,5 milion tryezave, mbajtja e maskës, shkurtimi i orëve, matja e temperaturës, se çfarë duhet bërë në rast të konstatimit të rasteve me COVID-19 etj.