Tel Avivi është në bisedime me ‘shumë kombe arabe që kërkojnë të vendosin marrëdhënie me Izraelin’, zbuloi kryeministri Benjamin Netanyahu, pas vendimit të Emirateve të Bashkuara Arabe për t’i dhënë fund bojkotit ekonomik ndaj shtetit hebre.
“Ka shumë takime të papublikuara me udhëheqës arabë dhe myslimanë për të normalizuar marrëdhëniet me shtetin e Izraelit.” – tha Netanyahu në një konferencë të përbashkët shtypi me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brien dhe Jared Kushner, këshilltarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë.
Kryeministri nuk përmendi kombe të veçanta arabe me të cilat Izraeli është në bisedime, por tha se udhëheqës të tjerë myslimanë tani janë rreshtuar për të bërë paqe me vendin e tij.
“Nëse do të duhet të presim palestinezët, do të duhet të presim përgjithmonë. Jo më.” – shtoi ai.
Zhvillimet vijnë pasi presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Khalifa bin Zayed Al Nahyan, nënshkroi një dekret që shfuqizon një ligj të vitit 1972, që ndalonte çdo marrëveshje midis Emirateve dhe Izraelit.
Marrëveshja u kritikua ashpër nga zyrtarët palestinezë si dhe nga disa kombe të tjera, të tilla si Turqia e Irani, që e akuzuan Abu Dabin për tradhëti ndaj çështjes Palestineze në ndjekje të interesave të saj.