Mbrëmja e kaluar është shoqëruar me përplasje në Podgoricë, mes mbështetësve të qeverisë dhe opozitës, të cilët festonin rezultatin e zgjedhjeve në Mal të Zi.
Radio Europa e Lirë thotë se në qendër të qytetit, ku u shënuan disa incidente u panë edhe auto-ambulanca. Por ende nuk ka të dhëna zyrtare nga Policia nëse ka të lënduar.
Udhëheqësi i koalicionit opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq, u bëri thirrje mbështetësve që të festojnë në shtëpi, pas incidenteve të shënuara.
“Ne nuk qëndrojmë pas asnjë tubimi, nuk duam trazira, nuk duhet të irritojmë askënd. Le të qëndrojmë të qetë, le të qëndrojmë në shtëpi”, tha ai përmes një postimi në Facebook.
Jashtë Podgoricës, ka patur tubime edhe në qytete të tjera të Malit të Zi: Tivar, Bijello Pole, Berane dhe Danillovgrad.
Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht dhe, sipas rezultateve paraprake, ato u fituan nga partitë opozitare, të cilat janë pro-serbe dhe pro-ruse.